Kodheli pret Wisner: Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, të shkëlqyera

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli dhe Zëvendëskryetari, Tomor Alizoti, pritën në takim kortezie të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA, David Wisner

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli së bashku me zëvendëskryetarin e këtij komisioni, Tomor Alizoti pritën në një takim kortezie Zëvendës Shefin e Misionit dhe të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA në Tiranë, David Wisner.

Kryetarja Kodheli dhe zëvendëskryetari Alizoti i uruan Wisner suksese për fillimin e detyrës duke siguruar së bashkëpunimi mes dy vendeve është në nivelet më të larta.

I ngarkuari me punë David Wisner shprehu kënaqësinë për prezencën e tij në Shqipëri duke thënë se është i nderuar të shërbejë në Ambasadën në Tiranë dhe tha se marrëdhëniet mes dy vendeve mbetën krejt të veçanta dhe të shkëlqyera.

Në vijim biseda u fokusua në prioritetet e Komisionit për Politikën e Jashtme për vitin që po përmbyllim si dhe për ato të sesionit të ardhshëm.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për situatën politike në vend, si dhe situatën në rajon dhe më gjerë.