“Ryanair” në Shqipëri, Mete: Po kthehemi në destinacion të rëndësishëm turistik

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, mori pjesë në eventin e organizuar me rastin e nisjes së fluturimeve zyrtare të kompanisë “Ryanair” në Shqipëri, duke nisur nga java e ardhshme.

Të pranishëm ishin dhe drejtori i Përgjithshëm i kompanisë “Ryanair”, Michael O’Leary dhe drejtues të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

Ministri Mete vlerësoi nisjen e operimit të kompanisë “Ryanair” në vendin tonë, e cila deri në fund të vitit 2023 ka parashikuar rreth 200 fluturime në javë, në 17 destinacione dhe krijimin e rreth 1 mijë vendeve të reja të punës.

“Ardhja e një kompanie si “Ryanair”, një emër me kaq eksperiencë në industrinë evropiane të aviacionit, pritet të sjellë më shumë diversifikim, mundësi dhe sigurisht në rastin konkret edhe më shumë destinacione të reja për fluturime direkte me Tiranën, siç janë Bukureshti dhe Praga”, tha Mete.

Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi faktin se turizmi në vend ka njohur rritje gjatë këtij viti dhe Shqipëria është kthyer tashmë në një destinacion të preferuar thuajse gjithëvjetor.

Sipas shifrave më të fundit të INSTAT, për periudhën 9-mujore vendin e kanë vizituar rreth 8.3 milionë turistë, ndërsa muaji shtator u mbyll me 1.1 milionë vizitorë të huaj, ose rreth 45 % më shumë se vitin e kaluar.

Po ashtu, shifrat e EUROSTAT e renditën Shqipërinë në vend të parë në Evropë sa i takon rritjes së numrit të fluturimeve tregtare në periudhën qershor-shtator, një rezultat impresionues, me gjithsej 19.300 fluturime, ose 27.8 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e numrit të pasagjerëve, tha Mete, ka shtuar konkurrencën dhe interesin e kompanive “low cost” që të operojnë në Shqipëri, duke rritur numrin e fluturimeve dhe prania e tyre tregon se vendi po kthehet në një destinacion të rëndësishëm turistik.

Ministri Mete u shpreh se “qeveria synon të mbështesë dhe zhvillojë më tej infrastrukturën aeroportuale dhe ndërlidhjet e saj me rrjetet rrugore dhe hekurudhore, ashtu siç do të jenë në vëmendje të gjitha shërbimet mbështetëse që lidhen me industrinë e turizmit”.

Operimi i kompanisë “Ryanair”, përfundoi Mete, do ta theksojë edhe më tepër imazhin e Shqipërisë si një destinacion turistik.