Berisha me kryesinë e “Rithemelimit”: Mobilizim total për të luftuar regjimin
Kryetari i grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e kryesisë së këtij grupimi se, kryeministri Edi Rama i ka dhënë goditje të re opozitës me një proces politik të shekullit.
“E thirrëm këtë mbledhje për të diskutuar mbi një situatë sa recente, aq edhe të kahershme. Për të diskutuar një gjendje të opozitës shqiptare, e cila pas daljes së saj jashtë kontrollit të Edi Ramës, ose për mbajtjen e saj nën kontrollin e tij, u nis një betejë më e egra, më e turpshmja, më antidemokratikja, por edhe antikombëtare, ndaj opozitës. Për ta patur atë në kontrollin e plotë të qeverisë”, tha Berisha.
“Mirëpo falë idealeve demokratike të qytetarëve shqiptarë, guximit të tyre, vendosmërisë për t’i mbrojtur ato ideale, që në fakt synon shkatërrimin e kombit shqiptar, ose krjimin e kombit të dëshpërimit në këtë truall, më i pasuri në begati dhe pasuri natyrore se çdo truall tjetër”, theksoi Berisha.
“Rrëzimi i opozitës është rrënimi i kombit. Asnjë pushtim në Shqipëri dhe as në trojet shqiptare kudo që janë, as në Kosovë, në një hark kohor 8-vjeçar, nuk ka larguar nga trojet shqiptare, nuk ka deportuar, nuk ka internuar 35 për qind të kombit, siç ka ndodhur me kombin shqiptar që jeton në Shqipëri”, u shpreh më tej Berisha.
“Mendoj se mbledhja e grupit parlamentar i dha përgjigjen më të shkëlqyer kësaj situate. Deputetët vendosën të fillojnë vetë betejën. Ta fillojnë në parlament, aty ky shkelmimi i përfaqësimit të interesave të qytetarëve shqiptarë është në shkallë ekstreme”, theksoi Berisha.
Dhe, vijoi ai “sot janë 600 mijë qytetarë, të cilët ndjekin me shqetësim shumë të madh këto zhvillime. Por ama, përsëri shpresa e vetme e tyre jemi ne”.
Berisha theksoi se, “kjo situatë është një kushtrim për një mobilizim total për të luftuar regjimin”.
“Kjo situatë është një kushtrim për një mobilizim total të të gjithë atyre që janë të gatshëm të luftojnë një regjim të tillë. Është një kushtrim për një mobilizim të plotë dhe total të të gjithë atyre që besojnë se demokracia në Shqipëri duhet të ndërtohet me ideale dhe jo me botën e korrupsionit dhe krimit. Është një kushtrim për të gjithë ata që duan t’i dalin zot vullnetit të tyre, që të mos përdoren si kavie në ditën e votimit, siç jemi përdorur 46 vite nga diktatura. Është një kushtrim për çdo shqiptar, duhet të kujtohet të zgjedhë mes Shqipërisë apo apatisë? Të zgjedhë mes kombit dhe flamurit, apo nënshtrimit dhe poshtërimit?”, tha Berisha.
Sipas tij, “me këtë synohet një komb pa opozitë”.
Berisha theksoi se, “tani është koha për betejë”. Ai u shpreh se, “beteja pa kthim kërkon sakrifica nga çdo demokrat”
“Të gjitha këto po ndodhin para syve tonë. Tani është koha për betejë! Tani është koha të ngrihemi! Tani është koha që cilido që mendon dhe beson se duhet të luftojë për demokracinë në këtë vend, për dinjitetin në këtë vend, se pa demokraci nuk ka dinjitet. Kurrë! Ne duhet të ngrihemi”, u shpreh ai.
“Beteja pa kthim duhet të organizohet. Beteja pa kthim kërkon sakrifica nga çdo demokrat. Unë jam i bindur se problemet me të cilat përballen demokratët, janë shumë të dhimbshme, janë shumë të thella, janë shumë të mëdha. Por zgjidhje tjetër nuk ka përveç mobilizimit, përveç ngritjes në këmbë, përveç betejës! Përndryshe, sa më shumë të zvarritet, aq më e thellë bëhet kriza. Aq më dëshpëruese bëhet situata. Ndaj dhe mesazhi im është ky sot: mesazhi im është të bëjmë gjithçka, të shpërndahemi në mbarë vendin në një dialog, në një emergjencë. Thashë edhe njëherë ky është kapitulli i fundit dhe këta nuk kanë fund fare se ky nuk ndalet në betejën e asgjësimit të opozitës. Por edhe opozita nuk do ndalet kurrë në rezistencën e saj me të gjitha format për të mbrojtur demokracinë dhe interesin kombëtar”, tha Berisha
