Kuvendi i 2 shtatorit, përfaqësuesit e Bashës dhe Berishës “betejë” në Gjykatë. Gjata: Të pritet vendimi i Gjykatës së Lartë

Në Gjykatën e Tiranës po mbahet seanca për regjistrimin e ndryshimeve të Statutit të Kuvendit Kombëtar të 2 shtatorit, Kuvend në të cilin u shënua dhe rikthimi i Lulzim Bashës në krye të PD-së zyrtare.

Lidhur me këtë proces gjyqësor palë në proces u legjitimua në cilësinë e përfaqësuesve të Komisionit të Rithemelimit, Çlirim Gjata dhe Franc Nuri.

Pikërisht kjo është kthyer dhe në temë debati në sallën e gjyqit mes përfaqësuesve ligjorë të PD-së së Bashës dhe PD-së së Berishës, që njihet edhe si Rithemelimi.

Në sallën e gjyqit, Gjata i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë që të mos marrë vendim mbi këtë çështje, pasi një vendim i gjykatës civile për regjistrimin e ndryshimeve statutore të 2 shtatorit, do mbivendoste dy vendime të ndryshme, dhe këto janë çështje për të cilat pritet të vendosë Gjykata e Lartë.

Pasi dëgjoi palët, trupa gjyqësore vendosi ta shtyjë seancën për datën 1 nentor në ora 15:00.

Me vendimin e Gjykatës, pala e tretë ka kohë për të dorëzuar shkresën nga kryesekretariati që çështja e Këshillit Kombëtar vijon.

PJESË NGA DEBATET

Rezart Kthupi (përfaqësues i Bashës): Kanë sjellë letër autorizimi me firmën e kryetarit Sali Berisha. Përfaqësimin nuk mund ta bëjë Rithemelimi, i ka mbaruar tagri.

Ka ardhur një autorizim që firmoset nga 29 anëtarë, kush është akti provues me të cilin na provon se kush është pala e autorizimit? Duhet akti me të cilin ky komision është themeluar.

Çlirim Gjata (përfaqësues i Rithemelimit): Jemi thirrur si palë e tretë, me emrin Partia Demokratike e Komisionit të Rithemelimit. Ne kemi ardhur me këtë cilësi për t’iu përgjigjur gjykatës dhe kemi sjellë autorizim nga komisioni me kërkesë të gjykatës.

Se kush e jep autorizimin, janë probleme politike të brendshme të një partie, nuk ka lidhje me gjyqin e sotëm. Se kush është Komisioni i Rithemelimit e ka vendosur Kuvendi i 11 dhjetorit me urdhër të gjyqtarit Agron Zhukri.

Kemi kërkuar pezullimin deri sa të merret vendim për çështjet në themel.

Indrit Sefa (përfaqësues i Bashës): Vendimi i ndërmjetëm a është autorizuar nga gjykata, sepse ka një konfundim nga ana jonë. Është legjitimuar PD me 3 grupime të PD-së, apo vetëm një PD me palët e tjera?

Vendimi i ndermjetëm a është autorizuar nga gjykata? Sepse ka një konfondim nga ana jonë. Është legjitimuar PD-ja me 3 grupime të PD-së, apo vetëm një PD me palët e tjera?

Gjyqtari Niko Rrapi: Në lidhje me pretendimin për personalitetin juridik, gjykata është shprehur dhe më parë për thirrje të palës së tretë (Rithemelimi dhe Bardhi) mbi bazë të kërkesave pasi kanë interes për çështjen. Gjykata nuk gjen asnjë pretendim për të ndryshuar lidhur me kërkesat e palëve të treta.

Çlirim Gjata (përfaqësues i Rithemelimit): Kërkojmë pezullimin e procesit derisa Gjykata e Lartë të shprehet për rekursin që Rithemelimi ka depozituar për vendimin e 3 marsit, ku Apeli i Përgjithshëm ktheu në Shkallë të Parë çështjen e logos dhe vulës.