"Partizani"/ Mbahet sot në GJKKO seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha

Ditën e sotme rreth orës 14:30 është parashikuar që të mbahet seanca ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ndaj të cilit është caktuar masa “detyrim paraqitje” në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Seanca e djeshme për Berishën u ndërpre, pasi mbrojtja e tij kërkoi kohë të njihet me aktet.

Ndërkohë njëri prej dy avokatëve të Berishës, Genc Gjokutaj ka thënë se ka bërë kallëzim ndaj gjyqtares së çështjes Irena Gjoka dhe kërkesë për përjashtimin e saj.

Por nga Gjykata në një reagim u tha se nuk kishte ardhur një kërkesë e tillë. Berisha refuzoi të shkonte në seancë por doli në një konferencë për mediat, ku edhe njëherë nënvizoi se po respekton Kushtetutën.

Në GJKKO, përmes një prokure, ish-kryeministri u përfaqësua nga avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.

Vetë Berisha zgjodhi të mbajë një konferencë me gazetarët në orarin e caktuar nga GJKKO për marrjen në pyetje të ish-kryeministrit lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.

Kujtojmë se dje Gjokutaj u shpreh se në momentin kur Berisha nuk ka marrë vendim për procesin ligjor ndaj tij, ai nuk është pjesë e procesit, ndërsa theksoi se në emër të tij kishte kallëzuar gjyqtaren Irena Gjoka.

“Ky është proces i parregullt ligjor. Në momentin kur zoti Berisha nuk ka marrë vendim, nuk është pjesë e procesit. Këtë ngërç procedural duhet ta zgjidhë gjykata. Duhet ta zgjidh organi i procedurës, ata që e bën”, tha ai.