Tjetër paketë ndihmash në Gaza, telefonata mes Biden dhe Netanyahut premton ndihma të vazhdueshme

Shtëpia e Bardhë ka premtuar ndihma të vazhdueshme në Gaza, pasi një paketë e dytë ndihmash hyri të dielën në territor.

Joe Biden dhe Benjamin Netanyahu ranë dakord për këtë përmes një telefonate.

Ndërkohë OKB llogarit se ndihmat e deritanishme në Gaza nuk i përmbushin nevojat për ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant pasi përfshijnë vetëm 4% të kërkesës.

Dorëzimi i tyre erdhi pasi Izraeli vazhdoi bombardimet në Gazë me sulme ajrore që kanë vijuar deri mëngjesin e së hënës duke u përqendruar në qendrën dhe veriun e Rripit.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, iu bashkua thirrjeve për një pauzë humanitare në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit për të lejuar më shumë ndihma në Gaza.

“Tani gjëja më e rëndësishme është që mbështetja humanitare të shkojë në Gaza ”, tha Borrell për mediat, ndërsa mbërriti për një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Edhe një herë udhëheqësit e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Kanadasë, Gjermanisë dhe Italisë i kanë bërë thirrje Izraelit që t'i përmbahet ligjit ndërkombëtar dhe të mbrojnë 

civilët, duke përsëritur gjithashtu të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur kundër terrorizmit.

Kryeministri holandez Mark Rutte pritet të vizitojë Izraelin këtë të hënë ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron të martën.

Udhëheqës të tjerë botërorë, duke përfshirë presidentin e SHBA Joe Biden, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz e kanë vizituar tashmë për të shprehur solidaritetin me vendin dhe, mendohet se privatisht kërkojnë më shumë kujdes prej Izraelit.