Nën hetim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës ‘kyç’ gojën

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, vazhdon të hetohet për veprat penale: “Shmangie nga tatimi” dhe “Keqpërdorim i besimit”. Lajmin e ka konfirmuar për RTV Dukagjinin, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se rasti në fjalë ndodhet në procedurë hetimore, andaj në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera rreth kësaj çështjeje,” ka thënë ajo.

RTV Dukagjini ka kontaktuar edhe Ademin, por ai nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje.

“Nuk komunikoj tani, nuk kam kurrfarë komenti,” tha ai shkurtimisht. Lidhur me këtë rast, më 22 mars, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte bërë të ditur se Ademi është ndaluar për 48 orë, nën dyshimet se ka kryer veprat penale: “Shmangie nga tatimi” dhe “Keqpërdorim i besimit”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së. I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale”, thuhej në njoftim.