Gjiknuri: Vota e diasporës mëse e mirëpritur, vendi ka nevojë për energji të reja

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi sot se, mazhoranca mbështet votimin e diasporës.

I pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare “Votimi nga jashtë vendit”, Gjiknuri tha se, ata zgjedhës që janë pjesë e Regjistrit të Gjendjes Civile, nëse shprehin dëshirën për të votuar, mendoj se e kanë mundësinë sot për të votuar dhe pastaj nëpërmjet një sistemi që edhe KQZ-ja e ka diskutuar më përpara që mbase ka të bëjë me sistemin postal.

Unë të them të drejtën jam më pro sistemit me postë, sesa sistemit elektronik nga jashtë, sepse është gjithmonë më i diskutueshëm dhe do të dojë kohë që të fillojë të implementohet. Mendoj që mundësia ekziston”.

“Pra ne sot që flasim kemi 12 mijë zgjedhës, shtetas, që janë të regjistruar në këtë regjistër. Ajo çka na përket ne është të bëjmë një fushatë më të mirë ndërgjegjësimi.

Të lehtësojmë procedurat. Bashkë edhe si parti politike, edhe si institucione shtetërore, t’i bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë regjistrohuni sa më shumë në këtë platformë nëse doni të ushtroni të drejtën e votës”, tha ai.

“Mendoj që KQZ i ka të gjitha mundësitë dhe mendoj se ne nuk kemi nevojë të ribëjmë ligje nga e para”, tha Gjiknuri.

Sa i përket çështjes së llogaritjes së votës, Gjiknuri tha se, “më pëlqeu ajo që u tha këtu që nëse do të krijojmë një zonë elektorale të veçantë mund të krijojmë një disproporcion të votës, mund të krijojmë fenomene të pabarazisë së votës.

Dhe mendoj se i kemi mundësitë, siç jemi sot që ta llogarisim votën në qarqet respektive, aty ku qytetarët kanë pasur banimin e tyre, ose aty ku ata kanë regjistrimin në gjendjen civile sepse del në Regjistrin e Gjendjes Civile”.

“Hapi i dytë është pastaj të hiqet nga ajo listë dhe të aplikojë këtë votë nga jashtë për t’u llogaritur tek rezultati i qarkut”, tha Gjiknuri.

“Unë e mbështes këtë proces. Është shumë e nevojshme.

Shqipëria vërtet ka një elektorat të tkurrur. Ka nevojë për energji të reja, ka nevojë për pjesëmarrje të një publiku më të gjerë. Vota e diasporës është mëse e mirëpritur, sepse ata janë kontribuues.

Po pse jo edhe pjesëmarrja aktive në jetën politike nëpërmjet votës, do t’i bëjë ata edhe më të interesuar për mbarëvajtjen e punëve në vend.

Pse jo edhe të jenë kandidatë, pse jo të marrin edhe pozicione drejtuese. Dhe kjo patjetër do të sjellë një shëndet më të mirë të administratës, të jetës politike shqiptare”, tha ai.

Gjiknuri theksoi se, “si bashkëkryetar dhe si përfaqësues i PS ne e mbështesim. Të mos ngremë shumë pyetje, por të fokusohemi tek ato pak pyetje që kanë mbetur”.

“Kemi principin dhe praktikën. Për principin kemi rënë dakord.

Tani është çështja e praktikës dhe këtu na nevojitet sa më shumë ekspertizë për të zgjedhur një model më të thjeshtë sesi ata mund ta ushtrojnë të drejtën e votës, duke shfrytëzuar gjendjen aktuale, arkitekturën në fuqi ligjore dhe teknike që është tashmë duke funksionuar”, u shpreh Gjiknuri.