Ministrja Kumbaro: Shqipëria, e para në Europë për flukset turistike

Në mbledhjen e Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit, ku Shqipëria mori zyrtarisht stafetën e organizimit të kësaj ngjarjeje në 2024-ën, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka prezantuar të dhënat kryesore sa i takon vitit 2023. Në një postim në rrjetet sociale, Kumbaro prezantoi shifrat:

“Shqipëria e para në Europë për flukset turistike, me +56% krahasuar me vitin 2019; Shqipëria e treta në botë për rritjen e të ardhurave nga turizmi me +77% krahasuar me periudhën e para pandemisë”, shkruan ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.

Nga Samarkanda e Uzbekistanit, ministrja Kumbaro ka theksuar faktin se përpos të gjithave, “Shqipëria turistike” është vlerësuar si shembulli i një modeli të bukur dhe përshtypjesh të ngrohta për ata që e kanë vizituar, dhe ndjellëse kurioziteti nga të gjithë kolegët ministra që me shumë dëshirë do të jenë në Tiranë për takimin e 70-të të Komisionit për Europën.

Takimi i 70-të i Komisionit për Europën, është nga eventet më të rëndësishme për vitin 2024 që Shqipëria do ta bashkëorganizojë me Organizatën Botërore të Turizmit. Në të do të marrin pjesë mbi 40 ministra të Turizmit nga i gjithë kontinenti europian.