VIDEO/ Dy gola nga Messi, Argjentina mund pa probleme Perunë, Uruguai thyen Brazilin pas 22 vitesh
Argjentina vijon me fitore, ndërkohë që Brazili bie në Uruguaj. Tetë gola prodhuan duelet e raundit të katërt të eliminatoreve të Botërorit 2026 në CONMEBOL (Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut).
Kampionët e Botës siguruan suksesin e radhës në Peru, atje ku fituan 0-2. Kampionëve të Botës i mjaftoi fraksioni i parë i takimit për të vulosur triumfin e katërt radhazi. Madje pas pësuar ende asnjë gol.
Leo Messi shënoi dy golat e fitores për skuadrën e Scalonit. “Pleshti” zhbllokoi takimin pas gjysmë ore lojë, duke shënuar një gol mjaft të bukur pas asistit të Nico Gonzalez.
Ndërkohë që tri minuta përpara fundit të së parë, Messi shënoi sërish dhe vulosi fitoren e kombëtares albiceleste. Legjenda argjentinase shënoi edhe në pjesën e dytë, por VAR-i i mohoi tripletën.
Vendi i parë me 12 pikë për Argjentinën, teksa në vendin e dytë është ngjitur Uruguaj, që mposhti 2-0 Brazilin në “Estadio Centenario” të Montevideos.
Darwin Nunez dërgoi në festë 60 mijë tifozët e pranishëm në fundin e pjesës së parë. Sulmuesi i Liverpoolit shënoi me gol, gol që pati nevojë edhe për konfirmimin nga VAR-i.
13 minuta përpara fundit erdhi edhe goli i qetësisë për vendasit. Nicolas de la Cruz, i cili luan në Argjentinë me River Plate, dërgoi topin në rrjetë dhe tifozët në ekstazë.
Uruguaj rikthehet te fitorja ndaj Brazilit pas 22 vitesh. Klasikja e futbollit latin ishte tepër e luftuar, me arbitrin venezuelin Herrera që akordoi 8 kartonë të verdhë për futbollistët e të dyja skuadrave.
Ekuador-Kolumbi u mbyll pa gola. Miqve iu anuluan dy gola nga VAR-i, ndërkohë që Luis Diaz i Liverpoolit humbi një penallti në pjesën e dytë. Paraguaj fitoi 1-0 ndaj Bolivisë. Festë edhe në Venezuelë pas triumfit 3-0 kundër Kilit.
