Shpresat në hapat e Kombëtares A, fitojnë ndaj Malit të Zi dhe kryesojnë grupin
Shpresat duket se janë në hapat e Kombëtares A të Shqipërisë, pasi u rikthyen te fitorja, duke triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Malit të Zi U21 në stadiumin e Egnatias dhe kryesojnë grupin E në kualifikueset e Euro 2025.
Shqipëria U21 mori një fitore bindëse në sfidën e vlefshme për kualifikueset e EURO 2025, ndërsa momentalisht kryeson Grupin E.
“Shqiponjat” U21 diktuan ritmin e këtij takimi, ndërsa zhbllokuan sfidën në minutën e 27’, me kapitenin Medon Berisha që shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, penallti e fituar nga Stiven Shpendi.
Në minutën e 39’ Shqipëria mori një “avantazh” të dytë pasi kapiteni i Malit të Zi, Bajovic, mori kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Medon Berishës dhe e la ekipin e tij me dhjetë lojtarë.
“Kuqezinjtë” vazhduan me sulmet edhe në fraksionin e dytë dhe në minutën e 73’ pas një super asisti nga Rexhepi, Stiven Shpendi dyfishoi avantazhin e ekipit të tij dhe vulosi këtë takim.
Pas kësaj përballjeje Shqipëria numëron tre fitore dhe një humbje në katër ndeshje në kualifikueset e EURO 2025, ndërsa kryeson momentalisht Grupin E me nëntë pikë, teksa Mali i Zi renditet në vend të pestë me tre pikë.
