Ndryshim i orëve të fundit, Sylvinho fton portierin e Egnatias për miqësoren ndaj Bullgarisë
Nga OraNews Përditësimi i fundit 17 Tetor 2023, 17:29
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka pësuar një ndryshim në orët e fundit para ndeshjes kundër Bullgarisë.
Në fakt, pak më shumë se një orë para fillimit të sfidës, FSHF njoftoi zyrtarisht se ka një ndryshim në radhët e skuadrës kuqezi.
Nga institucion i futbollit në vendin tonë njoftohet se portieri Elhan Kastrati ka kaluar një gjendje gripale dhe për këtë arsye, nuk është i gatshëm për ndeshjen.
Në vend të tij është ftuar portieri i Egnatias, Alen Sherri, i cili ka qenë një emër që ka provuar edhe më parë grumbullimet e kombëtares.
Ai ka luajtur vitin e kaluar në miqësoren ndaj Katarit, të organizuar me lojtarë kryesisht nga kampionati shqiptar.
