Trajneri i Bullgarisë: Nuk jemi në “luftë”, jemi në një ndeshje. Shqipëria ka ekip shumë serioz

Bullgaria ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen miqësore që do të luajë me Shqipërinë të martën në “Air Albania”, duke nisur nga ora 18:00.

Tekniku serb i bullgarëve, Mladen Krstajiç e konsideroi Shqipërinë një kundërshtar serioz, ndërkohë që në anën tjetër tregoi se koha për të përgatitur këtë sfidë nuk ka qenë e mjaftueshme.

“Është e vërtetë që kemi pasur pak kohë, pasi janë vetëm 2 ditë nga ndeshja e fundit.

E kemi bërë analizën e ndeshjes së fundit dhe asaj çka nuk shkoi, kemi motivuar lojtarët për këtë sfidë që na pret dhe besoj se jemi gati. Nuk jemi në luftë, jemi në një ndeshje ku ne do të kërkojmë të kemi sukses.

Duhet të kemi parasysh që përballë kemi një ekip serioz si Shqipëria.”-tha ai.

Bullgaria nuk ka arritur që të marrë asnjë fitore në 8 ndeshjet e fundit, por trajneri Krstajiç kërkon të shmangë presionin nga lojtarët e tij, duke marrë ai përgjegjësitë e rezultateve.

“Nuk duhet të ushtroni presion mbi lojtarët, presioni më takon vetëm mua.

Ata do të bëjnë maksimumin duke punuar maksimalisht e duke zbatuar atë çka u kërkohet.

Kemi pak kohë që jemi riformuar, por ne do të bëjmë maksimumin tonë, ndaj duhet të prisni ndeshjen me Shqipërinë, për të parë se çdo të prodhojë fusha.”, deklaroi Krstajiç.