Trafikuan 16 emigrantë indianë dhe pakistanezë, gjykata mbyll në burg 7 organizatorët, 3 femrat lihen me masa të buta

Gjykata e Durrës, ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për 7 personat e arrestuar si organizatorë të një rrjeti të kalimit të paligjshëm në kufi, të dhjetrave emigrantë Pakistanezë dhe Indianë që futeshin në Shqipëri përmes kufirit me Greqinë.

Vendimi për mbylljen në burg të 7 personave nga 10 të arrestuar është marrë pak ditë më parë nga gjykata, e cila pranoi kërkesën e prokurorit Madrit Kullolli, për të lënë në qeli personat që kanë pasur rol organizativ në këtë linjë të kalimit të paligjshëm të emigrantëve.

“Ora Neëw” ka mësuar se në burg janë lënë Daniel Sina, Fatmir Kapaj, Shani Piro, Emiljan Sina, Ardian Tema,Ledion Koçiu dhe Fatjon Ukaj.

Ndërsa për 3 femrat e arrestuara si të përfshira në këtë veprimtari kriminale si Regina Hyka, Hume Murrizi dhe Etleva Piro, gjykata e Durrësit, caktoi masën e sigurisë “detyrim për tu paraqitur në Polici” dhe për Piron masën e “arrestit në shtëpi”.

Sipas hetimit të kryer nga prokurori Kullolli, personat e mësipërm në muajin qershor 2023, kanë tentuar të kalojnë nga Shqipëria në Drejtim të Malit të Zi 16 amerikanë të kombësisë Pakistaneze dhe Indiane.

Për çdo emigrant grupi merrte një shumë prej 800 euro deri në 2 mijë euro.

Njëri nga emigrantët shtetasi Khqizar Iqbal ka deklaruar se fillimisht ka qenë në një kamp në Athinë Greqi, me xhaxhain e tij Irshad Kahn dhe mikun Asted dhe me datë 13 qershor 2023, janë nisur me taksi duke shkuar pranë kufirit me Shqipërinë.

Në territorin grek janë takuar me pjesën tjetër në një shtëpi të vjetër dhe aty kanë udhëtuar në këmbë për 7 ditë.

Më pas me një taksi furgon kanë mbërritur deri në Kavajë dhe aty i kanë lënë në një magazinë të braktisur rreth orës 05:00 të mëngjesit të 18 qershorit 2023.

Sipas tij në magazinë rreth orës 11:00 ka shkuar një djalë rreth 25 vjeç (Emiljan Sina) me makinë “Audi” targat nuk i dinte dhe ju ka dhënë një numër telefoni shqiptar. Më pas i ka dërguar dhe në market “Spar”, në Kavajë, ku kanë blerë ushqime.

Brenda këllëfit të telefonit u gjet e shkruar me stilolaps numri 068 92 09 XXX dhe sipas Khizar është shkruar nga djali i ri 25 vjeç me “Audi” që nuk ja dinte emrin.

Ndër të tjera Kizhar, ka shpjeguar se shoferi tek furgoni që i solli në Kavajë, ka folur me personin që erdhi me “Audi” dhe se kur të mbërrinin në Bosnjë do paguanin në llogari bankare 800 euro secili, llogaria bankare ishte në emër të një personi qe e thërrasin Rana, është pakistanez dhe qëndron në Janinë, Greqi dhe atje në Bosnjë do ti gjente sërish ai.