Moment historik për Shqipërinë! Balla: Procesi i Berlinit në Tiranë, sinjal pozitiv, meritë e Ramës
Sinjal pozitiv në një moment historik për Shqipërinë e cilësoi ministri i Brendshëm Taulant Balla faktin që Tirana do të presë Samitin e Procesit të Berlinit në të parën herë që zhvillohet jashtë Unionit! Nga Fieri, Balla komentoi dhe marrëdhënien me Kosovë, ndërsa kishte një urim për Sali Berishën.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka deklaruar se mbajtja e Samitit të Berlinit në Tiranë e ka ngritur Shqipërinë lart në aspektin politik. Sipas tij, meritë e këtyre arritjeve janë të qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit Edi Rama.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla e cilësoi sinjal pozitiv për politikën shqiptare mbajtjen në Tiranë të Samitit të parë të procesit të Berlinit jashtë një vendi të Bashkimit Evropian.
“Në 110 vite shtet besoj që ndajmë vlerësimin se Shqipëria nuk ka qenë më lart se sot në atë që quhet skakiera ndërkombëtare. Kjo është një meritë e qeverisë shqiptare edhe kryeministrit Rama."
I pyetur për vendin që do të zërë Kosova në Samitin e Tiranës, Balla theksoi se përshpejtimi i procesit të anëtarësimin në BE të shtetit të dytë të shqiptarëve në Ballkan është thelbësor për të shuar konfliktet e mbetura në rajon.
Përballë sfidave theksoi Aleancën me SHBA e BE.
“Rruga euroatlantike e Kosovës kalon përmes koordinimit të vazhdueshëm me ata që e bënë të mundur pavarësinë e Kosovës. Pa SHBA-të dhe BE-në ky proces nuk do të kishte ndodhur.”
Ministri i Brendshëm gjithashtu kishte dhe një urim për ditën e lindjes së ish-kryeministrit Sali Berisha që të dielën festoi 79-vjetorin e lindjes.
“Duhet të kuptojmë se politika nuk është armiqësi, por për tu shërbyer qytetarëve, dhe nëse ai mendon se u ka shërbyer, gëzuar ditëlindjen!”
Këto deklarata Balla i bëri nd1ërsa mori pjesë sot në festimet përkujtimore për 79-vjetorin e ditës së çlirimit të Fierit.
