Shqipëria drejt Europianit, Riza: Jemi në nivelin më të lartë të futbollit ndër të gjitha vitet
Shefi i futbollit të femrave në FSHF, Florian Riza ishte i ftuar në Ora News ku foli për ndeshjen e sotme të Kombëtares Shqiptare ndaj Çekisë, dhe mundësitë e kuqezinëjve për kualifikim në europian. Riza u shpreh se sot jemi në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar ndër të gjitha vitet.
"Jemi në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar ndër të gjitha vitet. Kemi një ekip fantastik, me lojtarë të të gjitha niveleve. Me një grup prej 30 lojtarësh që luajnë dhe militojnë në mënyrë të rregullt në gjithë ekipet e tyre. Kemi një staf drejtues trajnerësh me Sylvinhon dhe stafin e tij pas të një niveli shumë cilësor.
Por gjithashtu kemi edhe një stadium fantastik për të luajtur ndeshjet e ekipit Kombëtar. E shoqëruar nga një tifozëri e jashtëzakonshme. Kemi edhe një FSHF, një vend ku ke qejf të punosh.
Të gjitha këto bashkë e kanë rritur nivelin e futbollit në Shqipëri në një nivel maksimal dhe detyrimisht rezultatet kanë qenë të pritshme. Ndeshja nuk është përcaktuese, por presim fitoren", tha ndër të tjera Riza.
