Sfida me Çekinë, Vata: Si kurrë më parë unë e shikoj Kombëtaren me këmbë në tokë. Është gjithmonë e uritur, por jo euforike

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, foli në një intervistë për “Sport Magazine” për situatën që po kalon Kombëtarja jonë vetëm pak orë para përballjes me Çekinë.

“Si kurrë më parë unë e shikoj skuadrën më me këmbë në tokë, me më pak eufori, e shikoj që janë të kënaqur me atë rezultat që arrijnë dhe aty mbaron situata, kanë pretendime të tjera.

Dhe kur arrin në këtë lloj niveli, apo në këtë mentalitet, ku punën që ke bërë ka qenë e detyrueshme për t’u bërë mirë dhe kjo është qëllimi: që të punohet mirë, për të mbërritur tek rezultati dhe të mos jetojnë në të kaluarën.

Nëse ne mendojmë se ndeshja me Poloninë na bëri neve më të mirët e këtij grupi, atëherë mund të kemi probleme. Por, e shikoj që skuadra ka mentalitetin për të kërkuar më shumë, është më e uritur në çdo ndeshje, kërkojnë më shumë dhe duan më shumë.

Janë më të angazhuar, shikoj që grupi është gati në çdo moment, qoftë edhe ata të stolit kur futen në fushë i japin impuls tjetër skuadrës”, u shpreh në analizën e tij ish-kapiteni i kuqezinje, Rudi Vata.