Kosova humb rastin në arbitrazh me “Contour Global”, dëmshpërblimi mbi 20 milionë euro

Kosova e ka humbur rastin në arbitrazh me kompaninë ‘’Contour Global", ku vendi do të detyrohet të paguajë dëmshpërblim prej mbi 20 milionë eurosh.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress këshilltari i ministres së Drejtësisë, Genc Nimoni, duke treguar se vendimi final është analizuar dhe i njëjti do të sfidohet në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar.

“Avokatura Shtetërore e ka pranuar vendimin final të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, (ICC). Vendimi i Arbitrazhit e obligon Republikën e Kosovës që t`ia paguajë Countur Global-it shumën prej 20,053,125.63 euro. Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe i njëjti do të sfidohet në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar”, thotë ai në një përgjigje me shkrim.