“E korruptuar në të gjitha nivelet”, ish-presidenti i Komisionit Evropian: Ukraina nuk është gati për anëtarësim në BE
Ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kundërshtoi anëtarësimin e nxituar të Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke iu referuar korrupsionit të përhapur që, sipas tij, mbizotëron në vendin e shkatërruar nga lufta.
“Kushdo që ka pasur ndonjë lidhje me Ukrainën e di se ky është një vend i korruptuar në të gjitha nivelet e shoqërisë,” tha Juncker të enjten në një intervistë me gazetën gjermane Augsburger Allgemeine.
“Pavarësisht përpjekjeve, vendi nuk është gati për integrimin në BE, ka nevojë për procese masive reformuese brenda vendit”, theksoi ish-presidenti i KE. Ai shtoi se BE kishte përvoja të këqija me disa nga “të ashtuquajturit anëtarë të rinj” për çështjet e sundimit të ligjit. Kjo, sipas Juncker, nuk duhet të përsëritet.
“Premtimet e rreme nuk duhet t’i bëhen popullit ukrainas, i cili po vuan deri shumë,” argumentoi ai. Megjithatë, ai tha se një “perspektivë evropiane” duhet të mbahet për Moldavinë dhe Ukrainën.
Duhet të jetë e mundur që këto vende “të marrin pjesë në pjesë të integrimit evropian”.
Në një intervistë të botuar të mërkurën në revistën gjermane Der Spiegel, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, deklaroi se Ukraina mund të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030. “Ukraina mund të jetë anëtare e BE-së në vitin 2030 nëse të dyja palët bëjnë pjesën e tyre”, tha Michel.
