Basha ndryshon shënjestër, shigjeton demokratët. Bardhi nuk ia përton: Na flit për dy katet që ke marrë në kullën luksoze
Ndryshe nga sa pritej Kuvendi nisi mes debatesh dhe akuzash mes dy drejtuesve të lartë të Partisë Demokratike, të Lulzim Bashës dhe Gazment Bardhit.
Basha kërkoi që Parlamenti të bëjë publik vendimin e PD-së për kryetarin e grupit parlamentar.
“U bë një muaj që ky njoftim dhe vendimet e mëparshme të PD injorohen dhe nëpërkëmbën nga ana juaj. Ju thatë se do bënit publik vendimin tuaj, ju s’bëtë publik asnjë vendim dhe merrni zvarrë përfaqësimin e PD-së duke vendosur sipas qejfit dhe dëshirës tuaj, dhe jo sipas Kushtetutës.
Fshiheni pas një akti administrativ siç është rregullorja e Kuvendit, por nuk ju të drejtë që ta vononi 1 muaj. Flini për vendime të grupit parlamentar të PD, nuk ka vendime të PD-së, janë veprime të njëanshme, dihet pse i bëni sepse e doni opozitën siç doni ju.
Doni ta bëni gjithë Shqipërinë Kukës, jepni fund kësaj maskarade, është detyra juaj të shpreheni. Nëse keni vendosur në kuliasat tuaja të errëta e të non grata ki guxim dhe dil e thuaj shqiptarëve që je pjesë e aleancës", u shpreh Basha.
Teksa në përgjigje kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha se Basha ka dy kate në një nga kullat më të shtrenjta, duke e cilësuar kryetar të vetëshpallur.
"U emocionova shumë veçanërisht nga kjo Aleanca e Kullave. Parafolësi është i vetmi që muaj e fundit ka marrë nja dy kate në një kullë dhe kur vjen këtu për të akuzuar kolegët për aleanca të kullave, numëro katet në kullat më të shtrenjta të tuat dhe familjarëve të tu.
Je i vetmi njeri në këtë sallë i vetëshpallur kryetar. Nuk guxon të mbledhësh grupin. Je ti dhe 3 të tjerë që të shkojnë nga mbrapa. Nuk je përfaqësues i PD-së. Je i rikthyer pas një viti e gjysmë mungese gjoja për të bërë opozitën, por opozitën e ke me kolegët e tu, se me këta mbrapa nuk ta mban", theksoi Bardhi.
Por deputeti Basha do të reagonte sërish.
"Znj. Kryetarja prisja përgjigje nga ty dhe jo nga autorët e kësaj zallamahie. Meqë keni vendosur të nxirrni dhjam nga pleshti, jep përgjigje.
Për ata që kanë vendosur të bëjnë luftën e tyre të ndyrë personale, në tradhti të interesave të qytetarëve dhe demokratëve, kam një përgjigje, shumë shpejt do të përballeni me vetëdijen tuaj, me projektligjin për vettigun politik", u shpreh Lulzim Basha.



