Begaj pret delegacionin e Landit të Stirias në Austri

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot një delegacion të Landit të Stirias, Austri kryesuar nga Guvernatori Christopher Drexler së bashku me Presidenten e Parlamentit të kёtij Landi, Manuela Khom.

Presidenti Begaj falënderoi Drexler për vëmendjen që Landi i Stirias i ka kushtuar Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, si kontribues në procesin e integrimit në BE, nëpërmjet bashkëpunimit në fushat e arsimit, kërkimit shkencor, shëndetit publik dhe turizmit.

Presidenti i Republikës vlerësoi veprimtarinë e organizatës joqeveritare humanitare “Partneriteti Shqipëri- Austri”, e themeluar nga  Dr. Marianne Graf dhe bashkëshorti i saj e që vepron në Shqipëri që nga viti 1992.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj falënderoi Guvernatorin Drexler për pёrkushtimin e tij nё hartimin e programeve dhe bursave që ky Land ka me Shqipërinë që nga viti 2018 dhe inkurajoi vijimësinë e programeve të bashkëpunimit mё tё thelluar nё tё ardhmen.