Dhuna ndaj gazetarit Gjergj Zefi, Karabina: Sulm ndaj fjalës së lirë

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina reagoi sot pas dhunimit ndaj gazetarit Gjergj Zefi, duke e cilësuar si “sulm ndaj fjalës së lirë”.

“Mbrëmë ka ndodhur një ngjarje e rëndë ku gazetari Gjergj Zefi është goditur pas shpine, pasi po dilte nga zyrat e punës”, u shpreh ajo.

“Për një vend që aderon për t’ju bashkuar institucionalisht Bashkimit Europian, goditja ndaj fjalës së lirë është e papranueshme dhe dëmton imazhin e Shqipërisë”, theksoi zëdhënësja e PD.

“Partia Demokratike dënon këtë sulm ndaj fjalës së lirë dhe nxit, inkurajon e mbështet Policinë e Shtetit dhe Prokurinë për të vënë para drejtësisë sa më shpejt autorët e këtij akti të rëndë’, u shpreh më tej Karabina.

“Ngjarje të tilla janë një tjetër tregues i përkeqësimit të lirisë së mediave në Shqipëri, veçanërisht gjatë viteve të fundit”, përfundoi reagimin e saj zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina.