Trendet e vjeshtës, artisti i make up-it Olti Shulla: "Luani me ngjyrat, do të dukeni më të reja"

I ftuar në studion e lajmeve në "Ora News" ka qenë artisti i makeup-it Olti Shulla. Ai na ka njohur më shumë mbi trendet e bukurisë këtë sezon vjeshte.

Ai ka treguar se zonjat mbi 40-vjeç preferojnë më tepër të lyejnë flokët vetëm me një ngjyrë, për tu dukur më komode, teksa i këshillon ato të luajnë me ngjyrat dhe të provojnë modele dyngjyrëshe, pasi do të duken më vajzërore.

I pyetur nga moderatorja Lili Saraçi, se çfarë këshille mund të japë për të pasur flokë sa më të  shëndetshëm pasi kthehemi nga plazhi, ai këshilloi që të mos harxhohemi duke blerë vajra të shtrenjta.

"Shëndeti i flokëve varet kryesisht nga parukierët, sepse ka dhe nga ato që nuk janë në nivelin e duhur, në profesionin që kanë zgjedhur dhe fillojnë abuzojnë, i djegin flokët klientit.

Ndërkohë kur jeni në plazh, çdokush duhet të mbrojë flokun e tij me anë të një balsami ose maske, pasi në këtë mënyrë, dielli nuk do të depërtojë menjëherë në flokë. Nuk është nevoja të harxhoni duke blerë produkte të shtrenjta,"- këshilloi artisti i makeup-it Olti Shulla.