Guvernatori Sejko: Pjesëmarrja në SEPA i kursen shqiptarëve rreth 14 milionë euro në vit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në Forumin e Ministrave të Ekonomisë të organizuar në Tiranë, me temë “Tregu i përbashkët rajonal – një hap drejt Tregut Unik të BE”.

Duke marrë fjalën në këtë takim, Guvernatori Sejko tha se, sistemet e pagesave dhe tregjet e pagesave janë të lidhura drejtpërdrejt dhe të ndërthurura ngushtë me shkëmbimet ekonomike dhe me rritjen ekonomike efikase.

Në këtë kontekst, vijoi Sejko, modernizimi i sistemeve të pagesave në harmoni me praktikat evropiane, është një objektiv i menjëhershëm, i cili ndikon në formalizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekonomive tona.

“Projekti rajonal për “Modernizimin e sistemit të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor” mbështet zhvillimin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe të Planit Ekonomik të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Për këtë arsye, gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë angazhuar në zhvillimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, të bazuar në rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian, për ta bërë rajonin tonë më tërheqës për investitorët, për të rritur konkurrencën e tij, duke e sjellë kështu më afër me tregjet e BE-së”, tha Sejko.

Guvernatori vuri në dukje, se përmirësimi i pagesave ndërkufitare me juridiksionet joanëtare të BE-së, si dhe sistemet efektive dhe të ndërveprueshme të pagesave me vlerë të vogël, janë të pasqyruara gjithashtu në Strategjinë e BE-së për pagesat me vlerë të vogël, e cila është miratuar së fundmi.

Sipas tij, disa nga objektivat e këtij projekti janë: zvogëlimi i kostove për pagesat rajonale; përgatitja e rajonit për t’u bashkuar me Zonën e vetme të Pagesave në Euro (SEPA); si dhe krijimi i një zgjidhjeje për pagesat në kohë reale brenda vendit në vendet që nuk e kanë ende një të tillë.

Guvernatori tha se, “qëllimi kryesor është gjithashtu dhe përgatitja e tyre për t’u bashkuar me TIPS, sistemin e pagesave në kohë reale SPI, që operon BQE-ja”, teksa informoi se, ndër vite janë marrë dhe zhvilluar hapa konkretë për arritjen e këtij objektivi.

“Shqipëria dhe të gjitha vendet e rajonit, në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore, BE-në dhe Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal kanë punuar për të përmbushur plotësisht kërkesat ligjore dhe rregullatore të SEPA-s. Sa më shpejt të përparojmë drejt përputhshmërisë rregullative e ligjore, aq më herët do t’i shohim vendet tona pjesë të SEPA-s”, u shpreh ai.

Lidhur me këtë fakt, Sejko bëri të ditur se, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar gjithashtu diskutimet me Bankën Botërore dhe Banca d’Italia për konkretizimin e një zgjidhjeje për pagesat brenda vendit në kohë reale.

“Në vijim të reformave të ndërmarra së fundmi nga Banka e Shqipërisë në Sistemin Ndërbankar të Pagesave me Vlerë të Madhe (AIPS), përdorimi i transaksioneve ndërbankare për shlyerjen e transfertave vendase për klientët në Euro është rritur ndjeshëm. Në të njëjtën kohë, kursimet për ekonominë vlerësohen të arrijnë deri në 10 milionë euro në vit. Gjithashtu, pjesëmarrja në SEPA do t’i kursente shqiptarëve rreth 14 milionë euro në vit. Në mënyrë të ngjashme, me funksionimin e pagesave në kohë reale, kostot për ekonominë do të mund të uleshin në 0.2% të PBB-së, nga 1.7% të PBB-së në rastin e përdorimit të parasë fizike”, deklaroi Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko.