Haki Abazi: Kostoja e përdorimit të Serbisë për destabilizimin e Ballkanit është shumë e madhe

Haki Abazi, deputet dhe ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, i ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News” me moderatoren Beti Njuma foli për ngjarjen e rëndë që tronditi Kosovën dhe mbarë opinionin ndërkombëtar, që shkaktoi sulmi terrorist në veri të Kosovës.

“Çështja e veriut të Kosovës është shumë më komplekse se sa masat që mund të ndërmerren në një kontekst të caktuar. Ajo që ndodhi ishte një shpërfaqje e 23 viteve të një grumbullimi të rrjeteve kriminale të cilat përtej atyre që shikojmë ne, mbi të gjitha është mungesa vullnetit të Serbisë të lejojë funksionalitet të shtetit të Kosovës.

Dhe ky ishte një kulmim i grupeve kriminale, të cilët janë në përplasje të interesave ekonomike mes njëri-tjetrit. Ajo që proitet të dalë është përplasje mes drejtuesit të Listës Serbe dhe Presidentit Vuçiç se kush mund të drejtojë në veriun e Kosovës.

Sigurisht që për Kosovën është që Veriu të integrohet plotësisht, por aq e rëndësishsme është që të mbajë marrëdhënie të mira edhe me ndërkombëtarët.

Jemi duke hyrë në një fazë tjetër, pasi në Serbi do të ketë zgjedhje dhe kjo situatë do të përdoret atje për votime.

Marrëdhëniet Serbi – Kosovë nuk diktohen nga situata në Veri, atje por ka të tjera raporte. Sigurisht që duhet të jemi të kujdesshëm dhe vigjilentë, sepse objektivi jonë është BE, NATO, dhe siguria në Rajon varet nga suksesi ndaj vetë Rusisë.

Serbët janë të detyruar ta shikojnë BE-në si çështje ekonomike, por si çështje strategjike BE-ja nuk është pjesë e këtij këndvështrimi.

Dhe tek ky këndvështrim duhet të jemi të kujdesshëm. Kostoja e përdorimit të Serbisë për destabilizimin e Rajonit është shumë e madhe edhe për Ballkanin, edhe për Evropën edhe për vetë NATO-n.

Këtu nuk ka të bëjë me fushatë elektorale, pasi kemi të bëjmë me të ardhmen e Kosovës dhe duhet një rakordim me zotin Kurti, dhe pas deklaratave të Vuçiç në OKB tashmë është e qartë se çfarë është paralajmëruar”, u shpreh ndër të tjera Haki Abazi.