Politika shqiptare mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Napolitano
Presidenti Bajram Begaj ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-president italian, Giorgio Napolitano.
Në një postim në rrjetin social “X”, Begaj i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së Presidentit Giorgio Napolitano, miqve të tij dhe gjithë popullit italian.
Shqiptarët do ta kujtojnë gjithmonë për mbështetjen e tij të për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, shprehet Begaj.
Edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish- Presidentit të Italisë.
Nikolla thekson se “në jetën e tij të gjatë politike, si parlamentar, ministër, Kryetar i Dhomës së Deputetëve dhe President i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano i shërbeu me përkushtim jo vetëm vendit të tij, por edhe aspiratave evropiane”.
Sipas saj, Napolitano ishte një mik i madh i Shqipërisë dhe i perspektivës sonë evropiane.
“E tij është shprehja e njohur gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend në mars 2014 se Italia do të jetë avokatja e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pushofsh në paqe, President!”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të kryeparlamentares Nikolla.
Edhe ish-Presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka shprehur me një mesazh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Ish-Presidentit të Italisë Giorgio Napolitano.
Meta shprehet se Napolitano ishte përkrahës i fuqishëm i përshpejtimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe protagonist i rëndësishëm në historinë politike italiane dhe europiane.
“I pikëlluar për ndarjen nga jeta të Presidentit, Giorgio Napolitano, përkrahës i fuqishëm i përshpejtimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Protagonist i rëndësishëm në historinë politike italiane dhe europiane, kontributi i tij i vyer në forcimin e marrëdhënieve tona strategjike me Italinë mike do të nderohet gjithmonë me respekt!
Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe popullit italian për këtë humbje të pazëvendësueshme!”, deklaron Meta.



