Kina dhe Siria bien dakord për partneritet strategjik

Kina dhe Siria kanë rënë dakord të krijojnë “Partneritetin Strategjik Kinë-Siri”, në një përpjekje për të përmirësuar lidhjet midis dy vendeve, raportoi sot media shtetërore kineze, duke cituar presidentin Xi Jinping.

Xi u takua sot me presidentin sirian Bashar al-Assad për bisedime dypalëshe në Hangzhou në Kinën lindore, ku do të zhvillohen Lojërat e 19-ta Aziatike.

Sipas agjencisë kineze të lajmeve “Hsinhua”, Xi tha se miqësia midis dy vendeve është forcuar dhe Kina është e gatshme të vazhdojë të mbështesë Sirinë për të shmangur “ndërhyrjet e jashtme”.

“Republika Popullore gjithashtu do të mbështesë vendin në rindërtimin dhe luftimin e terrorizmit”, njoftoi stacioni televiziv shtetëror CCTV.

Me strategjinë e tij të gjerë të “Rruga e Re e Mëndafshit”, Pekini po mbështet projektet e infrastrukturës në mbarë botën, duke lidhur marrëveshje të shumta me pothuajse të gjitha shtetet arabe.

Kina tani dëshiron të përfshijë Sirinë në nismë, e cila parashikon më shumë importe bujqësore nga Siria.

Vizita e fundit e al-Asadit në Kinë ishte në vitin 2004. Kina, së bashku me Iranin dhe Rusinë, kanë mbështetur al-Asadin që kur filloi kryengritja kundër sundimit të tij në 2011.