OKB: Mbi 20 000 të arrestuar në Rusi për protestat kundër luftës
Më shumë se 20 000 persona janë arrestuar në Rusi për pjesëmarrje në demonstrata paqësore kundër luftës që nga pushtimi i Ukrainës fqinje, sipas një eksperti të OKB-së, Mariana Katzarova.
Ka pasur më shumë se 600 akuza për “aktivitete kundër luftës”, raportoi sot Katzarova gjatë debatit mbi situatën në Rusi në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, në Gjenevë.
Ekspertja përmendi Oleg Orlovin nga organizata e të drejtave të njeriut “Memorial”, i cili është në mesin e të akuzuarve dhe përballet me 15 vjet burg. “Memorial” iu dha Çmimi Nobel për Paqe një vit më parë.
“Të drejtat e njeriut janë kufizuar gjithnjë e më shumë në Rusi prej vitesh”, tha Katzarova në një raport të paraqitur në fillim të kësaj jave.
Ajo tha se Moska e ka intensifikuar goditjen e saj që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Këshilli i OKB-së emëroi Katzarova në vitin 2022 si të dërguarën speciale për situatën e të drejtave të njeriut në Rusi, por Moska nuk e njeh mandatin e saj dhe nuk lejohet të udhëtojë në vend.
Qeveria ruse hoqi dorë gjithashtu nga e drejta e saj për të komentuar raportin e Katzarova në Këshillin e të Drejtave të Njeriut.

