Lëvizja Bashkë protestë para Kuvendit: Minimumi jetik, është urgjencë
“Lëvizja Bashkë”, ka dalë këtë të enjte ashtu siç kishte lajmëruar më herët në protestë para Kuvendit të Shqipërisë, depuetëteve të të cilit i kërkohet miratimi i minimumit jetik.
Kujtojmë se prej gjashtë muajsh Kuvendi ka përpara projektligjin e minimumit jetik të nënshkruar nga 21.000 qytetarë, dhe përfaqësuesit e saj deklarojnë se minimumin jetik e lkanë premtuar të gjitha palët politike, por sipas tyre, ai është harruar menjëherë sapo kanë ardhur në pushtet.
“Minimumi jetik, është urgjencë!
Prej gjashtë muajsh Kuvendi i Shqipërisë shpërfill vullnetin e 21.000 qytetarëve që kanë nënshkruar projektligjin e minimumit jetik.
Ndërkohë që Shqipëria lëngon nga varfëria dhe braktiset nga rinia, pensionet nuk mundësojnë as mbushjen e barkut, ndihma ekonomike është qesharake dhe pagat janë nga më të ulëtat në Evropë, pushtetarët janë kujtuar t’i dyfishojnë rrogën vetes.
Vendi ynë është i mbërthyer nga korrupsioni dhe zhvatja, nga papërgjegjshmëria dhe krimi, nga mungesa e shtetit zhvillimor e social.
Miratimi i ligjit të minimumit jetik do të ishte oksigjeni ekonomik e social i qindra mijëra bashkëqytetarëve tanë të varfër ose në rrezik varfërimi.
Ai do të kishte efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e pensionit minimal, pensioneve të invaliditetit, ndihmës ekonomike, asistencës së papunësisë e pagës minimale, si dhe do të ndikonte në vazhdim rritjen e të gjithë shkallares së pagave e pensioneve për t’iu afruar stadit të jetës së dinjitetshme”, u shprehën disa prej përfaqësuesve në protestë.



