Shijaksit u kapën me 1 kg kokainë, Këlliçi “shfryu” operacionin “Tempull". Caktoi masa të buta

Tre personat e parë të arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “tempulli” që u kapën me 1 kg kokainë në fund të muajit Gusht nga policia e Tiranës, janë Robert Domi, Genis Mustafa dhe Andrea Dema nga Shijaku.

Ata ishin pjesë e hetimeve, që po kryente policia dhe prokuroria që u finalizua me lëshimin e 296 urdhër-arresteve.

Megjithatë zbulimi i 1 kg kokainë të sekuestruar në makinën tip “Benz” dhe 0.2 gramë të sekuestruar në banesën e Genis Mustafës, nuk bindën gjyqtare Arnisa Këlliçi, për të caktuar masën e “arrestit në burg pa afat” për 3 të arrestuarit.

Përmes një vendimi të datës 2 shtator 2019, gjyqtarja Këlliçi, ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të tre personave, mes të cilëve dhe Robert Domin, djalin e ish-kryetares së bashkisë Shijak, Shpresa Domi.  Por ndryshe nga çfarë kishte kërkuar përfaqësuesi i prokurorisë së Tiranës,, gjyqtarja Këlliçi, ka vendosur “arrest me burg” me afat 30 ditë për Robert Domin, me afat 45 ditë në burg për Genis Mustafën dhe me afat 30 ditë në burg për Andrea Demën.

Tashmi vendimi i saj, është Apeluar nga prokuroria e Tiranës, e cila përmes ankimit ka kërkuar lënien në burg të 3 të arrestuarve nga Shijaku, pasi gjatë hetimeve të kryera ata dyshohet e janë furnizues me kokainë të disa grupeve shpërndarësish në Tiranë.

Sasia e drogës të kapur ishte stampuar me 3 yje, duke nënkuptuar cilësinë e lartë të lëndës narkotike. Ndërsa dy javë pas ndalimit të Robert Domi, Genis Mustafa dhe Andrea Dema, policia dhe prokuroria e Tiranës arrestuan gati 90 persona, nga 112 masa arresti të vendosura.