Rafuna: Më pak mallra nga Serbia në Kosovë, por janë shtuar importet nga Shqipëria e RMV-ja

Masat e vendosura në kufi me Serbinë kanë bërë që në Kosovë të ketë një rënie të mallrave që nisen prej Beogradit.

Agjencia e Statistikave raporton se së fundmi është shënuar rritje e produkteve nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria me rreth 6 për qind secila.

Lulëzim Rafuna: “Sa i përket sasisë së importit të produkteve, ato të cilat nuk janë importuar prej Serbisë, tani kanë filluar të importohen prej vendeve tjera, të rajonit, por edhe prej vendit të BE-së. Në qoftë se shihen statistikat kemi një ngritje të importeve sidomos nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe këto janë indikacione që produktet e ngjashme po importohen që nuk kanë mundur të importohen nga Serbia, për shkak të vendosjes së masave nga Kosova, tani janë zëvendësuar edhe produkte që importohen nga këto dy vende. Por, më shumë kemi edhe rritje të importeve edhe nga vendet e BE-së, kështu kanë filluar të zëvendësohen me produkte të vendeve të BE-së".

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna  shton se kompanitë e huaja që operojnë në Serbi kanë shprehur shqetësimin për masat në kufi

Lulëzim Rafuna: “Është fakt se ato produkte eksportohen nga Republika e Serbisë, mirëpo është edhe fakt se ato produkte prodhohen prej kompanive, të cilat janë sidomos të shteteve mike të Kosovës që kanë kontribuar prej 99’ në zhvillimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. Janë përafërsisht 600 kompani gjermane që prodhojnë në Serbi, më pas kemi shumë kompani italiane, amerikane, turke të cilat janë të vendosura dhe prodhojnë në Serbi e produktet e tyre i eksportojnë në Kosovë dhe vende tjera të Ballkanit dhe i shpërndajnë në Evropë".

Ekspertët shtojnë se situata të tilla e dëmtojnë vendin, ndaj dhe shprehen se zgjidhja është tek dialogu. Megjithatë sa i përket çmimit duket se veç inflacionit nuk ka ndryshim të vlerave në shitje.