Ekstradohet në SHBA djali i El Chapo-s, së bashku me të vëllnaë udhëhoqën kartelin famëkeq të Sinaloas

Djali i bosit të drogës “El Chapo”, Ovidio Guzman është ekstraduar në SHBA për t’u përballur me akuzat për trafikim të lëndëve narkotike.

Ai dyshohet se ka udhëhequr, së bashku me të vëllanë, kartelin e fuqishëm të drogës në Sinaloa që themeloi babai i tyre.

Ovidio akuzohet gjithashtu se ka urdhëruar vrasjen e një këngëtari që kishte refuzuar të performonte në dasmën e tij.

33-vjeçari u arrestua në janar të këtij viti në Meksikë dhe që atëherë ka qenë në paraburgim.

"Ky veprim është hapi më i fundit në përpjekjen e Departamentit të Drejtësisë për të sulmuar çdo aspekt të operacioneve të kartelit", tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, ndërsa autoritetet meksikane nuk kanë bërë asnjë reagim lidhur me ekstradimin.

Ovidio Guzmán, i njohur gjithashtu si "El Ratón" (Miu), u arrestua pas një operacioni mbikëqyrjeje gjashtëmujore.

Njëzet e nëntë vetë vdiqën në përleshjet që pasuan dhe anëtarët e kartelit të tij dogjën autobusë dhe makina për të bllokuar rrugët hyrëse për të parandaluar përforcimet e policisë që të arrinin në qytet.

Ai u dërgua në Meksiksë me një helikopter nga frika se nëse ai transportohej me rrugë, vrasësit e tij do të përpiqeshin të sulmonin kolonën.

Në qershor 2020, forcat e sigurisë e ndaluan për një kohë të shkurtër, por u urdhëruan nga presidenti meksikan ta lironin në mënyrë që të mos rrezikohej popullata, pasi personat e armatosur të Sinaloas u përfshinë në beteja me armë me policinë dhe ushtarët.

33-vjeçari qëndroi i fshehur për 18 muajt në vijim përpara se të riarrestohej në janar 2023.

Karteli Sinaloa është një organizatë kriminale transnacionale që akuzohet nga zyrtarët e zbatimit të ligjit në SHBA se ka kontrabanduar më shumë se 1 mijë ton kokainë, marihuanë, dhe heroine.

Vrasësit e kartelit rrëmbyen, torturuan dhe vranë anëtarë të bandave rivale për të konsoliduar pushtetin e tij.

Ekstradimi u krye disa ditë pas lirimit nga burgu të gruas së El Chapo, Emma Coronel, e cila ishte dënuar në nëntor 2021 në SHBA për trafikim droge.

Vetë El Chapo po vuan një dënim të përjetshëm në një burg të sigurisë së lartë në Kolorado për drejtimin e kartelit Sinaloa.