La postin e ministres, Kushi emërohet nënkryetare e Komisionit të ...

Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, është emëruar nga mazhoranca socialiste në pozicionin e nënkryetares së Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik.

Ish-ministrja e Arsimit dhe Sportit, përmes një reagimi në rrjetet sociale ka theksuar se angazhimi i saj do të jetë gjithnjë në dobi të qytetarëve.

“Jam e nderuar që m’u besua në seancën parlamentare detyra e re si nënkryetare e Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. Do të vazhdoj me të njëjtin përkushtim, veçanërisht misionin tonë të përbashkët në fushën e arsimit, por edhe të kulturës dhe medias, si fushat kryesore të punës së këtij komisioni, tashmë nga një tjetër front, atë të Kuvendit të Shqipërisë, por gjithmonë për të mbështetur reformat dhe nismat e duhura në interes të brezit të ri dhe gjithë shoqërisë shqiptare”, shkruan Kushi.

Ish-ministrja nënvizon se dora e saj do të jetë gjithnjë e shtrirë për bashkëpunim me opozitën, pasi kultura dhe arsimi janë sektorë që duhet të bashkojnë politikëbërësit.

“Në këtë rol të ri, bashkë me përgjegjshmërinë e lartë për të përfaqësuar sa më denjësisht qytetarët që na kanë votuar, angazhohem që dora ime do të jetë gjithmonë e shtrirë edhe për bashkëpunim me opozitën, sepse arsimi dhe kultura janë sektorë që duhet të na bashkojnë dhe jo të na ndajnë, për të marrë vendime të drejta dhe për të bërë më të mirën për të ardhmen e Shqipërisë sonë”, përfundoi deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi.

Evis Kushi mbajti pozicionin e ministres së Arsimit dhe Sportit përgjatë dy viteve të fundit. Ajo e nisi detyrën në shtator 2021 për t’u larguar të hënën e 11 shtatorit 2023. Kryeministri Edi Rama emëroi në pozicionin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliun.