Ministri spanjoll: Vëmendje të posaçme ndikimeve të sigurisë nga agresioni rus, prioritet lufta ndaj krimit kibernetik

Në kuadër të procesit të Berlinit, këtë të enjte në Tiranë u zhvillua Ministeriali i ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Tema të Ministerialit do të jenë menaxhimi i integruar i kufijve; bashkëpunimi rajonal në luftën kundër krimit të organizuar, partneriteti për krimin kibernetik në Ballkanin Perëndimor.

Në nisje të Ministerialit euroballkanik të ministrave të Brendshëm nga BE-ja dhe rajoni në kuadër të Procesit të Berlinit, që u mbajt në Tiranë, Fernando Grande-Marlaska, në cilësinë e Presidencës Spanjolle të Këshillit të BE-së, ministër i Brendshëm i Spanjës, nënvizoi se Bashkimi Europian ndan sfida, interesa dhe objektiva të përbashkëta me Ballkanin Perëndimor.]

Në fjalën e tij, përpara 26 delegacioneve pjesëmarrëse të nivelit të lartë, Fernando Grande-Marlaska, tha se janë tri çështjet parësore në të cilat duhet shtrirë bashkëpunimi, jo vetëm për sa i takon interesit të rajonit, por edhe vetë Bashkimit Evropian.

“Së pari, menaxhimi i integruar i kufijve në Ballkanin Perëndimor. Presidenca e Këshillit po punon fort për të përmirësuar më tej funksionimin e zonës Schengen, si edhe po nxit një menaxhim inteligjent dhe të sigurtë të lëvizshmërisë përtej kufirit të jashtëm. Përmasa e jashtme e emigracionit është me rëndësi kyçe, prandaj për këtë presidencë është përparësi të kërkohet bashkëpunimi me vendet e treta të origjinës dhe të tranzitit për të parandaluar më tej emigracionin e parregullt”, tha Fernando Grande-Marlaska.

“Takimi i sotëm do të jetë një mundësi për të diskutuar rrugën për të ecur përpara për të arritur një efektivitet më të madh, qoftë ai parandalues apo reagues përmes bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor”, vijoi presidenti i Këshillit të BE-së, ministër i Brendshëm i Spanjës.

Sipas tij, “Presidenca po kështu, do të vijojë përpjekjet e saj për të ecur më tej drejt finalizimit të paktit evropian për migracionin dhe azilin, duke siguruar një ekuilibër midis përgjegjësisë dhe solidaritetit. Arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mbi këtë pakt, është një prej objektivave më të rëndësishëm dhe ambicioz të kësaj presidence”.

Prioriteti i dytë është bashkëpunimi rajonal në luftën kundër krimit të organizuar.

Sipas Presidentit të Këshillit të BE-së, “rritja e aktivitetit të krimit të organizuar ndërkombëtar, është kërcënim ndaj shoqërive tona, që kërkon përshtatje të vazhdueshme ndaj dinamikave të aktiviteteve kriminale. Pa u fokusuar te ndonjë tipologji kriminale, kjo presidencë e vlerëson me rëndësi të posaçme përqendrimin te lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore për qëllime të ndryshme, apo te lufta ndaj trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, apo trafikut të armëve të zjarrit, që është thelbësor e që lidhet me episodet të shpeshta të krimeve të rënda”.

“Përveç kësaj, ne nuk e humbasim nga sytë dhe krimin e organizuar të pastrimit të parave, apo të krimit teknologjik. Për këtë presidencë është përparësi të ndajmë mësimet e nxjerra për t’u përmirësuar më tej drejt identifikimit dhe goditjes së grupeve kriminale”, tha Fernando Grande-Marlaska.

Ai po ashtu vuri në dukje dhe rrezikun e agresionit rus për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Po i kushtojmë vëmendje të posaçme ndikimeve të sigurisë nga agresioni rus në Ukrainë. Ne po reagojmë nga rreziqet e identifikuara dhe po parandalojmë ato që potencialisht mund të sjellin dëme për paqen në Ballkanin Perëndimor. Këtu duhet forcuar bashkëpunimi me Ballkanin Perëndimor, pasi pozita gjeografike dhe ekspozimi është tepër i ndjeshëm për këtë rajon”, nënvizoi Fernando Grande-Marlaska, presidenti i Këshillit të BE-së.

Lufta ndaj krimit kibernetik ishte dhe prioriteti i tretë i paraqitur nga ministri i Brendshëm spanjoll.

Sipas tij, “mjedisi virtual po përdoret nga kriminelët në përpjekje për të minuar stabilitetin dhe sigurinë e vendeve tona. Të gjithë kemi qenë viktima të sulmeve kibernetike që kanë shënjestruar shërbimet thelbësore apo infrastrukturën kritike. Kërcënimi terroristë mbetet dhe madje është rritur në mjedisin virtual. Grupet terroriste, vijojnë ta përdorin internetin për të rekrutuar dhe për të nxitur sulme në tokën evropiane. Prandaj është përparësi që të hartojmë masa të menjëhershme parandaluese. Kjo duhet bërë përmes trajnimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira, për zhvillimet teknologjike si sfidë e re, duke bashkëpunuar edhe me sektorin privat”, nënvizoi Fernando Grande-Marlaska.

Ai mbylli fjalën, duke theksuar se “këto tre përparësi të Presidencës Spanjolle në fushën e punëve të brendshme, reflektojnë faktin se BE ndan sfida, interesa dhe objektiva të përbashkëta me Ballkanin Perëndimor”.