Kumbaro: Mbledhim mbi 90% të vëllimit të mbetjeve urbane në territor
Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro tha se, “sot falë projekteve për ngritjen e landfilleve dhe nismave për një mjedis të pastër, arrijmë të mbledhim mbi 90 % të mbetjeve urbane në territor, ndërsa riciklojmë vetëm 15 % të këtij volumi”.
Duke marrë fjalën nga foltorja e Kuvendit, gjatë diskutimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2022 për projektin “Ekonomia qarkulluese për zhvillimin e qëndrueshëm urban në Shqipëri”, Kumbaro tha se, “me këtë projektligj ratifikojmë një asistencë mbështetëse në vijim të Gjermanisë, që nis me këtë projekt konkret, në fushën e riciklimit të mbetjeve”.
Ministrja tha se, “katër janë komponentët kryesorë që mbështet asistenca gjermane në drejtim të ekonomisë qarkulluese: harmonizimi i legjislacionit sipas BE-së, të cilin e kemi ligj të vitit 2011; zhvillimin e kapaciteteve menaxhuese në nivel kombëtar, që do të merren me hartimin e politikave në këtë drejtim; zhvillimi i landfillve në 10 bashki, të cilat do të mbështeten për masat e riciklimit dhe e katërta, mbështetje për biznesin dhe kërkimin shkencor duke ofruar modele novatore në qasjen e gjelbër”.
Kumbaro vlerësoi nismën për zhvillimin e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri, si një hap që gjeneron ndikim në ekonomi, punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm sipas standardeve më të mira.
“Shqipëria përpara disa vitesh mblidhte vetëm 50 % të mbetjeve urbane në territor, ndërsa sot mbledh 90 % të vëllimit të mbetjeve urbane dhe riciklon vetëm 15 % të këtij vëllimi. Ndaj synojmë zhvillimin e ekonomisë qarkulluese në këtë fushë që e ngjit vendin me modelet e zhvillimeve europiane”, u shpreh Kumbaro.
