Braimllari: Inkurajojmë SPAK të vijojë hetimet për inceneratorin e Tiranës

Nënkryetari dhe kryetari i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës, Endrit Braimllari inkurajoi sot SPAK-un që të vijojë hetimet për inceneratorin e Tiranës.

“Kanë kaluar 45 ditë nga sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës, që provoi korrupsionin e drejtpërdrejtë të Erion Veliaj dhe Bashkisë së Tiranës. Dhe pse kanë kaluar 45 ditë nga sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës, bashkia vazhdon të paguajë në kundërshtim me ligjin çdo ditë për një shërbim i cili nuk kryhet”, tha ai në një deklaratë për mediet.

“Çdo qytetar është i qartë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Erion Veliajt në mega aferën korruptive, e cila gllabëron çdo ditë 80 mijë dollarë nga taksat e qytetarëve të Tiranës. Erion Veliaj është përgjegjësi dhe përfituesi kryesor i krimit të ndodhur me inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston, pasi me firmën e tij të paligjshme ai ndryshoi fatin e koncesionit duke dhënë dritën jeshile për miratimin e tij. Erion Veliaj është përgjegjësi i drejtpërdrejtë i cili në cilësinë e kryetarit të bashkisë, ka përgjegjësinë e tij për menaxhimin e mbetjeve në kryeqytet”, theksoi Braimllari.

“Inkurajojmë SPAK të vijojë hetimet për inceneratorin e Tiranës të shkojë drejtpërdrejtë tek ideatori dhe autori i aferës së inceneratorit të Tiranës, që është Erion Veliaj. Erion Veliaj nuk mund të fshihet dhe nuk mund të shpëtojë sepse është i përfshirë kokë e këmbë në inceneratorin e Tiranës, me firmën e tij dhe me udhëzimet që iu ka dhënë bashkëpunëtorëve të tij për mega-aferën korruptive. Çdo ditë që kalon, këto veprime kriminale kundër interesit publik dhe financave publike vazhdojnë dhe të dëmtuarit e vetëm janë qytetarët e Tiranës”, përfundoi Braimllari.