Ekzekutimi ne Vlorë, gjendet një makinë e djegur, dyshohet se u përdor në atentat. Viktima punonte si skafist
Detaje të reja raportohen lidhur me atentatin e ndodhur mbrëmjen e sotme në Vlorë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen ’28 nëntori’ në qytetin bregdetar, ku një 41 vjeçar është vrarë.
Bëhet fjalë për Leartiad Keka, banor në lagjen pranë kishës ‘Ortodokse’ të qytetit.
Ai po udhëtonte me motorin e tij kur është qëlluar me breshëri nga një person që ndodhej në një makinë në ecje.
Pas atentatit në Vlorë raportohet për një makinë të djegur, tek hambarët e ish-Aviacionit dhe që dyshohet se ishte pikërisht mjeti që u përdor në atentat.
Bëhet fjalë për një automjet tip “Audi”, i cili po digjet në Kote të Vlorës.
Nga ana tjetër mësohet se 41-vjeccari që mbeti i vrarë mbrëmjen e sotme punonte si skafist gjatë sezonit të verës dhe njihej me nofkën "Kapiteni".
Sa i përket dinamikës së atentatit burime nga Policia e Vlorës bëjnë me dije për “Ora News”, ngjarja ka nisur rreth 500 metra nga skena e krimit dhe se dyshohet që ekzekutori e ka ndjekur viktimën, deri sa ky i fundit ka zbritur nga motori dhe ka tentuar të hyjë në një furrë buke aty pranë kishës Ortodokse ku dhe ishte banor.
“Ekzekutori ishte i mbuluar me maskë, e ka ndjekur dhe ka qëlluar në shkallë. Goditjet ishin kryesisht në kokë. Ka pasur shunë të shtëna për shlak të shtrirjes së ngjarja”, thanë burimet.
Ndërkaq, mësohet se viktima ka qenë i përfshirë në një vjedhje me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2005.


