Marrëveshja me Britaninë, kërkesat për transferimin e të dënuarve mund të bëhen dhe nga familjarët
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Ismail Shehu, zhvilloi të enjten një takim dypalësh me përfaqësuesit e Ambasadës Britanike në Tiranë, ku u diskutua mbi zbatimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Anglisë për transferimin e të dënuarve.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, palët ranë dakord se kërkesat për transferim mund të realizohen edhe nga familjarët.
“Një takim i frytshëm, ku u diskutua për masat konkrete që do të ndërmerren nga të dyja palët, me qëllim garantimin e zbatimit të Marrëveshjes për transferimin e personave të dënuar. U diskutua mbi mënyrën e shqyrtimit dhe përcjelljes së dokumentacionit në çdo fazë si dhe mbi kohëzgjatjen e procedurës”, njoftoi Ministria e Drejtësisë.
”Rikonfirmuam parimet humane për respektimin e së drejtës themelore të subjektit, për t’u njohur në çdo fazë të shqyrtimit gjyqësor për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit penal britanik për transferimin nga Britania në Shqipëri”, bëri me dije Ministria e Drejtësisë.
“U dakordësuam që kërkesat për transferim mund të bëhet edhe nga familjarët e të dënuarit dhe ato do të përcillen nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë. Përgjatë procesit, institucionet tona gjyqësore dhe ekzekutive do të shkëmbejnë përvojën e tyre me palën britanike, si dhe do të trajnohen me mbështetjen e autoriteteve britanike për procedurën që do ndiqet në zbatim të marrëveshjes së lartpërmendur dy-palëshe”, theksohet në njoftim.
“Në frymën e bashkëpunimit, autoritetet britanike riafirmuan qëndrimin e tyre dhe do të jenë në mbështetje të sistemit penitenciar shqiptar”, përfundon njoftimi.
