Gjirokastër, u kap me 13 emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 24-vjeçari

24-vjeçari Dejvi Ahmeti, u arrestua duke transportuar kundrejt pagesës, 13 emigrantë nga vendet e treta që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin në vendet e BE-së.

Në pranga është vënë dhe shtetasi pakistanez Hassan Raza, i cili ndihmonte emigrantët, kundrejt pagesës, që të futeshin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë. 

24-vjeçari Ahmeti banues në Korçë  u kap në aksin rrugor Tre Urat-Përmet, duke transportuar me automjet, drejt Tiranës, kundrejt shumës 150 euro për person, 13 emigrantë nga vendet e treta.

33-vjeçaria pakistanez sipas hetimeve ka rezultuar se ndihmonte emigrantët nga vendet e treta, kundrejt pagesës 100 euro për person, që të futeshin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë.

Edhe pse ka një rënie në krahasim me vitet e shkuara, kalimi përmes vendeve të Ballkanit është rruga e dytë më e përdorur e klandestinëve që synojnë vendet e BE, pas udhëtimeve me varkë me synim brigjet e Italisë

Sipas raportit të FRONTEX më shumë se 52.200 emigrantë tentuan të futen në BE përmes kësaj rruge, që është një rënie prej 26 për qind, kryesisht për shkak të politikave më të ashpra për vizat.

7 muajt e parë në vitit 2023 shënuan rekord të tentativave të paligjshme të klandestinëve  për të hyrë në një prej vendeve anëtare të bllokut 27 anëtarësh.