Tenderi 3.4 mln € u anulua në maj, KLGJ rihap praktikën e dytë me vlerë të ulët për blerjen e sistemit të audios dhe kamerave në 20 gjykata

Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka rihapur sërish një tender të anuluar nga Komisioni i Prokurimeve Publike, në fund të muajit Maj 2023, pas dyshimeve të forta se KLGJ kishte favorizuar një subjekt tregtar, duke e shpallur fitues.

Këshilli i Lartë Gjyqësor është organi më i lartë qeverisës në hierarkinë e sistemit gjyqësor. Praktikisht institucioni në majën e luftës kundër korrupsionit.

Akuzat zyrtare dhe të drejtpërdrejta për paracaktimin e fituesit në tenderin për kamerat janë një njollë jo e vogël për imazhin e institucionit që duhet të jetë model në luftën kundër korrupsionit.

Tenderi rezulton të jetë hapur në 29 gusht, ndërsa afati përfundimtar për paraqitjen e ofertave është caktuar data 29 Shtator 2023.

“Ora News” ka mësuar se ndryshe nga hera e parë, ku vlera financiare e tenderit ishte përcaktuar në shifrën 372 milion lekë të reja, në rihapjen e dytë të procedurës, vlera financiare është ulur në 144 milion lekë të reja.

Ndryshe nga herën e parë janë 228 milion lekë që Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mënyrë të çuditshme ka vendosur të mos shpenzojë në këtë procedurë tenderuese për blerjen e pajisjeve elektronike.

Përmes këtij tenderi, drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, synon të nxjerrë jashtë loje pajisjet e vjetra të sigurisë, në 20 Gjykatat e vendit si dhe të futë në shërbim sisteme të reja kamerash dhe pajisje audio për regjistrimin e seancave gjyqësore.

Të gjitha sallat e gjyqeve në Shqipëri, do përditësohen me programet e reja të regjistrimit digjital audio dhe video.

Procedura ka si synim të ndërtojë dhe një qendër monitorimi në KLGJ, me qëllim monitorimin e sistemit të 20 gjykatave nga një sallë e vetme.

Ndërkohë jo më larg se muaji qershor, KLGJ, mbylli një procedurë tjetër tenderuese me vlerë 239 milion lekë të vjetra, për blerjen e 10 makinave të reja të markës “Berlina/Sedan” prodhim i vitit 2023.

Tenderi 3.4 mln € u anulua në maj, KLGJ rihap praktikën e