Siguria rrugore, 20 të arrestuar e 5 të proceduar në një javë në Durrës

Policia Rrugore Durrës njoftoi të enjten se në harkun kohor të një jave, ka arrestuar 20 drejtues mjetesh dhe proceduar 5 të tjerë për veprën penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”.

Përmes një njoftimi për mediat, Policia e Durrësit bënë të ditur se vijon kontrollet intensive në të gjitha akset e qarkut, duke përdorur mjetet inteligjente, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.

“Kontrollet intensive, me qëllimin e vetëm, parandalimin e aksidenteve rrugore me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës. Gjatë një jave: Janë arrestuar 20 drejtues automjetesh dhe janë proceduar në gjendje të lirë 5 drejtues automjetesh dhe motomjetesh, për veprën penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt””, bën të ditur Policia.

Po ashtu gjatë një jave, 493 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara; 173 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për parakalime të gabuara;86 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për mos-vendosje të rripit të sigurimit;  39 drejtues motomjetesh janë ndëshkuar për mos-vendosje të kaskës mbrojtëse; 538 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore”, bën të ditur Policia.

Policia e Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.