Ndërron jetë në moshën 56-vjeçare këngëtari i filmit "Shrek"

Këngëtari i grupit pop rock Smash Mouth, Steve Harwell, ka vdekur në moshën 56-vjeçare më 4 shtator.

Menaxheri i tij ka treguar se Steve vdiq i rrethuar nga familja dhe miqtë në shtëpinë e tij në Boise, Idaho, të hënën në mëngjes dhe shkak i vdekjes ishte dështimi i mëlçisë së tij.

56-vjeçari luftoi gjatë gjithë jetës së tij me abuzimin me alkoolin dhe së fundmi iu nënshtrua trajtimit në spital.

Grupi ku ai ishte pjesë, Smash Mouth arriti sukses komercial me një varg hitesh në fund të viteve 1990, duke përfshirë këngën e tyre “All Star”, e cila u nominua për "Performancën më të mirë Pop" në edicionin e 42-të të GRAMMY dhe u shfaq më pas në filmin e famshëm për fëmijë "Shrek".