Rrezikojnë shembjen, “bllokohen” 104 shkolla në Britani

Qindra ndërtesa shkollash në Angli mund të jenë të rrezikshme dhe në rrezik shembjeje, tha sekretari britanik i arsimit, pasi autoritetet kërkuan 104 shkolla të mbyllnin të gjitha ose një pjesë të ndërtesave të tyre pasi në to u gjet betoni i vjetër dhe i paqëndrueshëm.

Zbulimet për shembjen e godinave të shkollave, pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, kanë zemëruar prindër dhe mësues dhe janë një kokëçarje e re politike për kryeministrin Rishi Sunak.

Çështja përforcon përshtypjen se infrastruktura publike jetike në Britani po shkatërrohet.

Sekretarja e Arsimit, Gillian Keegan tha se qeveria ishte ende duke pritur për një përgjigje nga rreth 10% e 15,000 shkollave në Angli, të cilave u janë dërguar pyetësorët për të identifikuar ata që janë në telashe.

Në këto ndërtesa është gjetur çimento e përforcuar e autoklavuar e gazuar (RAAC), një formë e lehtë çimentoje që është përdorur shpesh në mure, dysheme dhe tavane nga vitet 1960 deri në vitet 1980. Megjithatë, tani konsiderohet e dobët dhe e pasigurt.

Shumica e shkollave të prekura do të jenë në gjendje të funksionojnë normalisht, tha qeveria britanike.