Grushti i shtetit në Gabon, në rezidencën e djalit të presidentit gjenden valixhe me dollarë dhe euro

Grushti i shtetit në Gabon të Afrikës, zbuloi edhe pasurinë që kishin krijuar njerëzit e afërt me presidentin e rrëzuar Ali Bongo.

Në rezidencën e shefit të stafit të djalit të Presidentit të rrëzuar, u gjetën disa valixhe të mbushura me euro dhe dollarë, të cilat dyshohet se ishin dërguar në banesën e tij për t’i shpëtuar kontrolleve pas marrjes së pushtetit nga ushtria.

Çantat me para, vlera e të cilave raportohet të jetë në disa milionë euro, ishin fshehur në shtëpinë e Yann Ngulu, shefi i stafit të Nourredine Bongo, djalit të madh të Presidentit të rrëzuar Ali Bongo.‌

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë valixhe të mbushura plot me kartëmonedha frangash, dollarësh dhe eurosh.

Të mërkurën junta ushtarake në shtetin afrikan, Gabon mori pushtetin, rrëzoi dhe vendosi nën arrest shtëpiak Presidentin Ali Bongo dhe emëroi një gjeneral si udhëheqës të ri të vendit.

Nourredine, i cili është koordinatori i çështjeve presidenciale që i dha atij mbikëqyrjen e sektorëve të administratës, sigurisë dhe mbrojtjes, u arrestua gjithashtu të mërkurën për korrupsion, përvetësim dhe tradhti të dyshuar.

Ali Bongo qëndroi në pushtet për 14 vite, dhe fitoi zgjedhjet e fundit me 64.2% të votave, megjithatë junta ushtarake i deklaroi zgjedhjet si të manipuluara dhe e vendosi presidentin nën masën “arrest shtëpie”.

Gjenerali Brice Clotaire Oligui Nguema, kreu i Rojës republikane, u emërua president i komitetit të përkohshëm. Zoti Oligui është kushëri i zotit Bongo. Ai kishte shërbyer si truprojë i babait të zotit Bongo, ish-Presidentit Omar Bongo, dhe udhëhoqi shërbimin e zbulimit para se të emërohej si udhëheqës i rojës presidenciale.

Familja Bongo ka qeverisur Gabonin e pasur me naftë për 56 vite, kjo president i rrëzuar ka marrë frenat e pushtetit në vitin 2009 pas  vdekjes së babait të tij, i cili mbajti rolin e kreut të shtetit për 42 vite.