Debat mbi emrin e një shkolle në Bosnjë, zyrtari serb majë skelës: Të quhet “Kosovë e Metohi”
Një rast i paprecedent ballkanas me protagonist vetë serbët ka ndodhur në Banja Luka, kryeqendrën e Republika Srpska në Bosnje.
Është ndër ato skena që tregon se deri ku shkon nacionalizmi serb, deri në absurd, ku dhe vetë serbët hahen me njëri-tjetrin brenda këtij absurdi.
Protagonist ka qenë kryetari i Komunës së Banja Lukës, Drashko Stanivukoviç, i cili është ngjitur në skelën e një shkollë për ta emërtuar atë “Kosovë e Metohi”.
Por drejtoresha e shkollës i ka kujtuar se ajo duhet të mbajë emrin “Vuk Karaxhiç” (babai i folklorit serb) e jo “Kosovë e Metohi”.
“Drejtoreshë, kjo është Shqipëria apo RS? Mjeshtra, ju ngjituni lart, do të ngjitem dhe unë me ju dhe askush nuk mund ta heqë…”, tha Stanivukoviç, referuar emrit “Kosovë e Metohi” për të cilin këmbëngulte.
Por Tatjana Vilendeçiç, drejtoresha e shkollës fillore “Vuk Karaxhiç”, ka thënë se “pa Vuk Karaxhiç nuk ka as serbizëm, as asgjë”, ndërsa Stanivukoviç është përgjigjur se “pa Kosovën nuk ka asgjë”.
