"Associated Press": Ish-kryeministri Nano po lufton për jetën në spital

Mediat ndërkombëtare i bëjnë jehonë gjendjes shëndetësore të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Agjencia e madhe, "Associated Press", shkruan se kryeministri i parë i post-komunizmit në Shqipëri, po lufton për jetën në spital.

Agjencia thotë se lajmi është konfirmuar nga zyra e kryeministrit shqiptar. Sipas saj, 70-vjeçari është në repartin e kujdesit intensiv në një spital në Tiranë.

AP thekson se Nano po trajtohet për shkak të problemeve në mushkëri.

Sipas saj, Fatos Nano themeloi Partinë Socialiste në vitin 1991. Më pas ai shërbeu për katër muaj si kryeministër në vitin 1991.

SITUATA SHENDETESORE

Gjendja shëndetësore e ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili ndodhet në spital prej 9 ditësh, nuk është përmirësuar.

Ish-kryeministri socialist vazhdon të jetë i intubuar pasi atij i është rikthyer një problem kronik respirator, që në gjuhën mjekësore njihet si SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike që ngushton dhe dëmton rrugët ajrore të mushkërive.

Burime nga spitali bëjnë me dije se mjekët i kanë bërë një ndërhyrje kirurgjikale duke i vendosur një tub plastik, që po e ndihmon në furnizimin me oksigjen.

Të enjten e 24 gushtit 2023, Nano u shoqërua me ambulancë nga shtëpia e tij për në spital pasi kishte pasur probleme me frymëmarrjen.

Lideri historik i Partisë Socialiste ndodhet në reanimacion, pasi vuan nga një sëmundje pulmonare obstruktive kronike, e quajtur ndryshe si SPOK.

Kjo është një sëmundje (patologji) që prek mushkëritë dhe zakonisht është progresive dhe shoqërohet me një përgjigje inflamatore jonormale kronike të mushkërive kundrejt grimcave të pluhurit dhe gazeve si psh: monoksidi i karbonit prezent në tymin e duhanit dhe dioksodi i karbonit që gjendet në ajrin e ndotur të ambientit që na rrethon.

Nano shërbeu si kryeministër edhe në vitet 1997-1998 dhe 2002-2005. Ai dha dorëheqje pasi humbi zgjedhjet në vitin 2005 dhe nuk u përfshi më në politikë.