Rama: Investimet në Spitallë rrisin vlerën e pronës
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet që po kryhen për infrastrukturën e zonës së Spitallës në Durrës, ku dhe bashkëbisedoi me banorë të zonës.
“Aty ku transformimi i infrastrukturës dhe një kryetare bashkie, e cila është edhe arkitekte edhe brigadiere, bashkojnë socialistë e demokratë përtej hendeqeve, gropave e baltës së të shkuarës”, u shpreh Rama.
Në takimin me banorë të Spitallës, Rama i siguroi ata se kjo zonë do të bëhet fantastike.
“Do edhe ca vite kjo, por nëse deri dje ishte ‘hajde bëjmë një strehë’, sot është pasuri. Asaj pasurie i rritet vlera dhe kthehet në vila. Plus po bëjmë Akademinë e Mancester City, do ta ndërtojmë shumë shpejt dhe do të krijohet dhe lagjja këtu. Tani kemi programin për qendrat shëndetësore, shkolla, pyje afër komunitetit”, tha ai.
Kryeministri theksoi se gjëja më e rëndësishme është se shumë hapësira do të bëhen të gjelbëruara.
“Do të jetë një zonë me shumë gjelbërim dhe do t’i rritet shumë vlera pasurisë. Kjo është shumë e rëndësishme për ata që do të trashëgojnë pronën. Shkova në Vlorë, në një lagje tipike si kjo. Njësoj nuk kishte asnjë gjë vetëm shtëpi. Kur filluam projektin u thashë se këto shtëpi do t’i jepni për turistët me qera çdo sezon. Sot kemi plot shtëpi me turistë”, tha Rama.
Ai u ndal te investimet që janë kryer për infrastrukturën e zonës së Spitallës. “Ne erdhëm për 4 minuta. Kur kam ardhur njëherë për fushatë thashë a do kthehemi dot, ishte tmerr. Dhe faktikisht me gjithë atë investim që do bëhet tek Porti, me gjithë atë histori zhvillimi atje, me gjithë atë turizëm dhe me zhvillimet që vazhdojnë qoftë nga Gjiri i Lalzit qoftë këtej poshtë, do të shihni vetë që kur të vijnë sezonet do vijnë turistët në kafe”, u shpreh ai.
Nga ana e saj, kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako u shpreh se “këtu jemi në një kantier të rëndësishëm”.
“Kjo është rruga ‘Azem Hajdari’ e cila përfundon në pjesën e lagjes së re të rindërtimit. Fillon andej dhe lidhet me rrugën ‘A.Goga’. Kjo bashkë me rrugën paralele që ne e kemi përfunduar po me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kanë qenë si dy arterie kryesore që do ta ingranojnë gjithë këtë lagje te re për infrastrukturën për lëvizjen. Kjo ka trotuar, ka korsi biçikletash, ka ndriçim dhe gjelbërimin që pjesërisht është vendosur. Në fund të rrugës janë disa banesa që janë ndërtuar mbi kanal. Ato, kemi marrë masa me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me një grup të përbashkët për t’i shpronësuar dhe për t’i hapur”, tha ajo.
Sako theksoi se “kjo është në programin e rindërtimit si investim dhe pavarësisht se janë aplikues në legalizim, ata do të marrin sipërfaqen e njëjtë që kanë në lagjen e re”.
“Kështu që do dalë shumë herë më mirë sesa të kesh një shtëpi mbi kanal. Me Fondin, jemi duke bërë gjithë rrugicat dytësore dhe janë rreth 50 akse rrugësh dytësore me një gjatësi 200-250 metra të cilat do të rehabilitohen të plota me kanalizimet e ujerave të zeza. Investimi i ujësjellësit është bërë në këtë zonë dhe me mbylljen e këtij investimi të rrugës është një mundësi shumë e mirë për banoret për të përmirësuar aksesin dhe patjetër për t’i dhënë dhe një mundësi biznesit të vogël familjar që të ketë kushte më të mira të infrastrukturës”, theksoi Sako.

