Sesioni i ri në Kuvend, Berisha: Parlamenti në funksion të regjimit të Lukashenkos shqiptar, krimit dhe drogës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur në selinë e Partisë Demokratike deputetët e grupit të tij parlamentar.

Në kuadër të çeljes së sesionit të ri parlamentar, Berisha theksoi se Parlamenti i sotëm është krejtësisht në funksion të regjimit të Edi Ramës, krimit, drogës.

Ndaj ai i bëri thirrje ligjvënësve që të shumëfishojnë përpjekjet dhe denoncimet kundër këtij regjimi.

“E nisim këtë sesion paralamentar, në sesionin e betejave më të fuqishme kundër këtij rregjimi të damkosur në shkallë maksimale, në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Unë e kuptoj që për mënyrën si funksionon parlamenti, ai funksionon si një parlament cubash, hajdutësh dhe njerëz që nuk kanë, nuk njohin as ligj, as moral, as kushtetutë, as rregullore. Institucioni në të cilin të drejtat e deputetëve dhe për rrjedhojë të atyre që përfaqësojnë deputetët, shkelmohen çdo orë, çdo ditë. Parlament i cili është totalisht në  funksion të regjimit të Edi Ramës, regjimit të krimit, drogës dhe vjedhjeve.

Parë në këtë kontekst, është tmerrësisht e vështirë ulja në atë sallë, por detyrime më supreme ndaj zgjedhësve tanë, na detyrojnë ne që jo vetëm që të ulemi, por të shumëfishojmë përkushtimin tonë, të shumëfishojmë alternativën tonë për qytetarët shqiptarë dhe denoncimet në të gjitha drejtimet të këtij regjimi që kryesohet nga një njeri, sot më i diskredituari në Ballkan dhe Europë, pas Putinit dhe Lukashenkos”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri theksoi po ashtu se Edi Rama turpi i shqiptarëve, pasi siç tha ai, ëhstë i vetmi kryeministër në rajon që nuk pranohet nga dy kryeministra të vendeve fqinj

“Vera e nxori lakuriq Edi Ramën. Ishte një verë në rrafshin rajonal ku ai u paraqit siç është, një gangster, një gangster i vërtetë që nuk respekton asnjë normë, asnjë parim. Por kjo verë i preu biletën atij. Mjafton të rikujtoj këtu qëndrimet e tij ndaj Kosovës, antikombëtare, antishqiptare, por qëndrime që shkelin çdo kod në marrëdhëniet e fqinjësisë mes dy vendeve.

U vërsul i pari me tërbim duke i vendosur Kosovës sanksione dhe mendoi se Albin Kurtit i erdhi fundi dhe të organizojë funeralin politik. Mori atë që meritonte, mori turpin dhe shpërfilljen gjer në asgjësim. Organizoi turin Ballkanik, turin e vetëposhtërimit, turin e merituar të vetëposhtërimit.

U përpoq të zëvendësonte Lajçakun dhe Eskobar dhe të dilte tani ky si ndërmjetësues ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve. Hartoi një draft me ekspert të shquar për problemin më nevralgjik që është çështja e asocasionit, por edhe drafti edhe përpjekja përfundoi në koshin e humorit, talljes dhe përçmimit që meritonte.

Edi Rama është turpi i Shqipërisë, turpi i shqiptarëve.  Çdo ditë që kalon është një mbulim turpi për ne.

Është i vetmi kryeministër në rajon që nuk pranohet nga dy kryeministra të vendeve fqinj, që refuzohet në mënyrën më të merituar. Ai nuk ka më një minutë të qetë në shpirtin e tij, sepse është i zbërthyer tani totalisht, i lidhur këmbë e krye me krimin, drogën, vjedhjen”, u shpreh ndër të tjera ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha u shpreh se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, është një i burgosur politik, duke shtuar se Rama nuk e zbaton ligjin për shkak të interesave të tij mafioze në lidhje me pronat në bregdet

“Nuk u prit në Athinë. Po sigurisht sepse samiti ishte për vlerat Europiane që duhet të ndajnë vendet e Ballkanit, ishte për një deklaratë historike e cila përbën dokumentin legal të prespektivës Europiane të vendeve të rajonit, me kusht që ata të ju përmbahen vlerave Europiane. Ky shkelmon vlerat Europiane dhe pastaj thotë se policia dhe drejtësia ime e pavarur, më thonë këto gjëra. Mban në burg Fredi Belerin, absolutisht si të burgosur politik., vetëm e vetëm që të skadojë 90 ditëshi i afatit që ai të mos betohet si kryebashkiak i Himarës.

Iu them atyre që besuan se të besosh nacionalizmin e Edi Ramës është si të besosh turpin. Dhe kini kujdes atë që ka thënë Niçja; se ky nacionalizëm është streha e fundit e horrave.

Po ç’ka të bëjë me nacionalizmin respektimi i ligjeve tona? Përkundrazi ka të bëjë me nacionalizmin qytetar, shqiptar sepse ti je njeri i ligjit, i kushtetutës. Se ti për një shqiptar ke shkuar në burg dhe ke dhënë mandatet dhe betimet, sepse ligji po nuk qe i dënuar nuk e ndalon. Shumë thjeshtë, një parim shekullor i prezumimit të pafajësisë.

Kurse këtij që don të ja marrësh me çdo kusht mandatin për pronat e tua, të klanit tënd mafioz dhe klaneve të tjera mafioze, këtij i thua se me thotë policia dhe drejtësia e pavarur që nuk mund të betohet. Ka gjë më të turpshme. Enver Hoxha i bënte këto, por një drejtues i një vendi të lirë nuk e bën dot kurrë këtë. E bën vetëm për interesa të tij mafioze dhe i çon marrëdheniet me një fqinj, i cili për hir të së vërtetës duhet të themi këtu, pavarësisht  se ka pasur probleme në marrëdhëniet tona, por në tërësi ka predominuar, bashkëpunimi, miqësia. Greqia në asnjë rast që nga vitet ’90 e gjer dje asnjëherë nuk është bërë pengesë në proceset e integrimit evropian, euroatlantik të Shqipërisë.

Mund të ketë patur rezervat e veta, mund të ketë patur hezitimet, por nuk i ka lejuar vetes kurrë, asnjëherë. Tani të kërkon të zbatosh ligjin tënd dhe i thua po më ndërhyn. Çfarë po ndërhyn. Prevalon interesat mafioze të tij mbi interesat e vendit, mbi idealet demokratike të shqiptarëve dhe natyrisht e çon tjetrin drejt atyre qëndrimeve, që nuk i kanë pasur ndonjëherë. Me fqinjët gjithmonë krijohen probleme, por problemet zgjidhen dhe nuk kanë shkuar ndonjëherë në atë që të na pengojnë apo lobojnë kundër, cilido që ka qenë në pushtet.

Por tani me prevalimin e interesave mafioze të tij do të na vijnë”, theksoi ish-lryeministri Sali Berisha.