Miratohet dëmshpërblimi financiar për nëntë ish të dënuar politikë të regjimit komunist
Botohet në fletoren zyrtare vendimi i qeverisë, i cili përcakton dëmshpërblimin financiarë për 9-të ish të dënuar politikë të regjimit komunist, 2 prej të cilëve të pushkatuar pa gjyqë. Sipas vendimit të zbardhur në fletoren zyrtare, nga qeveria është alookuar një fond prej 32 milionë lekë të reja për nëntë ish të përndjekurit.
Në vendimin e publikuar në fletoren zyrtare, vihet re se vendimi përmban tri pika. Në pikën e parë është miratuar dëmshpërblimi financiar për disa ish-të dënuar politikë të dënuar me burgim, izolim në hetuesi, izolim në institucion mjekësor apo mjekësor psikiatrik, sipas listës me shtatë emra të aneksit A.
Në pikën e dytë, përcaktohet dëmshpërblimi financiar për ish-të dënuar politikë të dënuar me dënim kapital ose të ekzekutuar pa gjyq, sipas listës me dy emra të përcaktuar në aneksin B.
Në vendim saktësohet se, dëmshpërblimi për ish-të dënuarit politikë bëhet me këste. Shuma e përllogaritur përballohet nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i planifikuar për këtë qëllim. Shuma transferohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bankën e nivelit të dytë nëpërmjet thesarit.
Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues urdhërohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në llogaritë e tyre personale, të hapura në bankat e nivelit të dytë. Dëmshpërblimi u miratua në mbledhjen e qeverisë së datës 24 gusht 2023 dhe vendimi u publikua në fletoren zyrtare të 29 gushtit 2023
Në vendimin e publikuar në fletoren zyrtare janë zbardhur dhe emrat e përfituesve.
-Gjysho Shefit Sadikaj i dënuar me 2 vjet 2 muaj 6 ditë
-Mufit Ilmi Hoxha i dënuar me 1 vit 1 muaj 28 ditë
-Iljas Telha Serjani i dënuar me 7 vjet 9 muaj 16 ditë
-Pavlo Ziso Memo i dënuar me 5 vjet 11 muaj 27 ditë
-Neim Selfo Haxhiaj i dënuar me 1 vit 3 muaj dhe 24 ditë
-Vangjel Anastas Dhjamandi i dënuar me 2 vjet 4 muaj 25 ditë, 8 vjet 30 ditë
-Prel Tom Smajelaj (Gjergji) i dënuar me 7 vjet 27 ditë
-Razip Zeqir Zenelaj i pushkatuar më 20 gusht 1947
-Ali Demko Selfo i pushkatuar më 30 nëntor 1944
