I armatosur dhe shpërndante kokainë, pranga 21 vjeçarit, i sekuestrohen 3 180 euro
Policia Vlorës njofton se në Sarandë, falë ndërhyrjes së policisë është arrestuar një 21 vjeçar, i cili qarkullonte me armë zjarri, teksa shpërndante kokainë në lokalet e natës.
Policia teksa shpërndan pamjet e operacionit “Kordinatat”, bënë të ditur se gjatë operacionit është arrestuar dhe miku i tij 22-vjeçar, pasagjerë në mjetin ku po udhëtonte i dyshuari, i cili ishte në dijeni të veprimtarisë kriminale të mikut të tij.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit veror, të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj paligjshmërive, bazuar në inteligjencën policore se një shtetas qarkullonte me automjet, i armatosur, dhe shpërndante lëndë narkotike, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinatat””, njofton Policia.
“Në aksin rrugor Sarandë – Ksamil, pranë gjirit të Hartës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e dyshuar dhe kanë ndërhyrë për ta bllokuar. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale nga shërbimet e Policisë u bë bllokimi i automjetit, kapja në flagrancë e drejtuesit, A.D., 21 vjeç, banues në Rusan, Delvinë, dhe pasagjerit, A.B., 22 vjeç, banues në Sarandë”, sqaron Policia.
“Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A.D. dhe kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, një sasi dozash kokaine dhe një shumë të konsiderueshme parash (3180 euro dhe 45000 lekë). Në banesën e shtetasit A.D. shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë gjahu të cilën e mbante pa leje, si dhe 460 fishekë luftarakë”, njofton Policia.
“Nga veprimet hetimore dhe nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore rezulton se 21-vjeçari shpërndante lëndë narkotike kokainë, në Sarandë e Ksamil, kryesisht në lokalet e natës, ndërsa 22-vjeçari ka patur dijeni për veprimtaritë e tij kriminale, por nuk ka kallëzuar në Polici”, përfundon njoftimi i Policisë.
